Detaje nga incidenti i plagosjes me thikë në një lokal të Pejës

Policia e Pejës përmes një operacioni të vështirë ka arritur të arrestojë Vetim Krasniqin, i dyshuar për incidentin që kishte ndodhur para disa ditësh në Pejë.

Krasniqi ishte në arrati që nga data 22 dhjetor.

Burime të KALLXO.com thonë se për Krasniqin ka disa dosje penale në organet e ndjekjes.

Krasniqi sipas të dhënave të KALLXO.com ka dosje për vepër penale të lëndimit të lehtë trupor, armëmbajtje, vjedhje e rëndë dhe disa raste të tentim vrasjeve.

Pas disa ditëve kërkim është arritur të arrestohet Krasniqi, ndërsa Gjykata i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak sipas kërkesës së Prokurorisë së Pejës.

Në këtë incident kanë qenë të përfshirë edhe persona të tjerë, ku për njërin prej tyre, Herolind Berisha, është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa i pandehuri tjetër Brahim Gashi është në arrati.

Sipas vendimit që ka siguruar KALLXO.com, për Krasniqin Prokuroria fillimisht kishte kërkuar masën e paraburgimit por pastaj, në seancë, prokurori ka tërhequr propozimin për paraburgim duke e zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak.

Vetim Krasniqi po hetohet për vepër penale të pjesëmarrjes në rrahje të kryer në bashkëkryerje me Brahim Gashin. Ky i fundit ende është në arrati.

Ndërsa Herolind Berisha po hetohet për tentim vrasje.

Incidenti në fjalë ka ndodhur në qytetin e Pejës në lokalin “Shisha Barcoden” më 22 dhjetor.

Dosja e Prokurorisë thotë se mosmarrëveshje ka pasur mes Herolind Berishës, Vetim Krasniqit, Brahim Gashit, në njërën anë, dhe të dëmtuarve Besart Muhaxherit, Mustafë Spahijës, Besion Demajt dhe Taulant Haxhijajt në anën tjetër.

Tutje, sipas Prokurorisë, Herolind Berisha me dashje ka tentuar të privojë nga jeta Besion Demajn ashtu që pasi i dëmtuari Taulant Haxhijaj hyn në tualet, e pas tij të pandehurit Herolind Berisha dhe Vetim Krasniqi, ku i  pandehuri Berisha fillimisht e godet me thikë në pjesën e abdomenit të dëmtuarin Haxhija.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, pastaj Berisha e ka goditur me thikë në pjesën e kraharorit të dëmtuarin Mustafë Spahija.

Ndërsa për të dëmtuarin Besion Demaj, Herolind Berisha po dyshohet e ka goditur atë një herë me thikë në pjesën e majtë të dorës, e pastaj kur Demaj ka tentuar të ikte është goditur prapë më thikë nga i pandehuri Berisha.

Në këtë incident është lënduar edhe Besart Muhaxheri.

Të pandehurit Vetim Krasniqi dhe Brahim Gashi po hetohen se janë përfshirë në këtë rrahje duke i goditur të dëmtuarit me grushte.