Zyrtari komunal në Ferizaj pi duhan në zyrë

Ndonëse Ligji për kontrollin e duhanit ndalon pirjen e duhanit në hapësira publike dhe në hapësira të punës, kjo nuk e ka ndaluar një zyrtar komunal të Ferizajt që të pijë cigare brenda zyrës në Komunë.

Në një video-incizim, ai shihet duke tymosur përderisa punonte në tavolinën e tij të punës.

KALLXO.com ka kontaktuar Komunën e Ferizajt lidhur me këtë video.

Nga Komuna kanë konfirmuar që personi në video punon në Drejtorinë e Financave dhe kanë thënë që ndaj tij janë marrë masa.

“Ne kemi pranuar e-mailin tuaj dhe kemi analizuar edhe përmbajtjen e video-materialit dhe kemi konstatuar që ky person është punëtor në Drejtorinë e Financave, andaj Drejtoresha e Financave ka marrë masa së bashku me zyrën e Personelit te Komunës se Ferizajt ndaj këtij zyrtari, normalisht sipas dispozitave ligjore dhe rregulloreve të brendshme komunale” – tha Selim Marevci, zëdhënës i Komunës së Ferizajt.

Paragrafi i parë i nenit 11 të Ligjit për kontrollin e duhanit thotë se ndalohet pirja e duhanit në hapësirë publike, hapësirë të punës e mjetet e transportit publik.