Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zyrtarët e Kryeministrisë tregojnë arsyen pse kanë hyrë në grevë

Zyrtarët e Zyrës së Kryeministrit dhe të zyrës së ish- Ministrisë së Integrimeve Evropiane kanë hyrë në grevë më datën 14 janar 2021 dhe greva është vazhduar në ditën e sotme.

Qëllimi i kësaj greve sipas njoftimit të Këshillit Grevist është Anulimi i Rregullores 01/2020 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Zyrën e Kryeministrit.

“Kjo Rregullore është duke u kundërshtuar për shkak të shkeljeve ligjore të cilat kanë ndodhur gjatë procesit të hartimit të saj. Grevistët e vlerësojnë se kjo Rregullore përbën shkelje të shumta procedurale dhe materiale të legjislacionit në fuqi”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu thuhet se greva do të vazhdojë deri në anulimin e kësja rregulloreje.

Në lidhje me këtë grevë sot para mediave foli edhe Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.

Ai tha se administrata shtetërore që ka hyrë në fuqi i ka obliguar që të përgatisin rregulloren për organizimin e brendshëm.

“Ligji për administratën shtetërore që ka hyrë në fuqi na ka obliguar edhe neve që të përgatisim rregulloren për organizimin e brendshëm tash ka ndodhur një rikonstruktim i qeverisë me vendim të kuvendit dhe jemi të obliguar te bëjmë riorganizimin e administratës shtetërore dhe në përputhje me ligjin i ka bërë këto rregullore dhe ka baza ligjore, ka miratimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Financave dhe unë e kam nënshkruar”, tha ai.

Hoti, tha se duhet të respektohen grevistët.

“Janë disa zyrtare që janë të pakënaqur me këtë rregullore dhe jam i obliguar ta respektojë këtë grevë dhe unë i kanë sugjeruar atyre qe të bëjmë një komision të pavarur për kërkesat e tyre dhe mund te shkojmë një plotësim të rregullores. Ne do të themelojmë një komision të pavarur dhe do të sillem nga rekomandimet e tyre të këtij komisioni”, tha ai.

Hoti flet për grevën brenda Kryeministrisë