Foto: KALLXO.com

VV zbulon emrin e kompanisë që bëri sondazhin që ngjalli polemika me LDK

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, ka publikuar rezultatet e një sodazhi të bërë nga Lëvizja Vetëvendosje i cili tregon që nëse zgjedhjet e reja mbahen këtë të diel, VV do të fitonte 42.8 përqind të votave ndërsa LDK 21.6%.

Pas pbulikimit të këtij sondazhi, Florian Dushi, anëtar i kryesisë së Lidhjes Demoraktike të Kosovës, ka reaguar duke e quajtur sondazh të fabrikuar.

Pas reagimit të Dushit, ka vazhduar replika nga Bislimi i cili ka bërë publik edhe emrin e kompanisë e cila ka bërë këtë sondazh, ku ka treguar se bëhet fjalë për kompaninë UBO Consulting.

Reagimi i plotë i Besnik Bislimit:

Në postimin tim të mëhershëm, duket sikur pjesa kryesore e vëmendjes u përqëndrua tek rezultatet e sondazhit e jo edhe aq tek mesazhi i përçuar përgjatë gjithë tekstit. Madje edhe pat komentues të tillë që dyshuan në vërtetësinë e sondazhit, nisur nga fakti që rezultatet dallojnë fuqishëm nga ato të verifikuara me 6 tetor. Këto dyshime janë për mua krejtësisht të kuptueshme, sidomos në një mjedis ku mbase më shumë se 90% e sondazheve janë të fabrikuara apo në rastin më të mirë, të manipuluara nga kontraktuesi. Andaj edhe me të drejtë, komentues të ndryshëm kërkuan skjarime shtesë për sondazhin dhe institutin e kontraktuar.

Rrjedhimisht po e shoh të arsyeshme të ofroj disa skjarime plotësuese rreth rezultateve të këtij sondazhi:

1. Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi kontrakton matje të opinionit public, ku përve preferencave të votuesve për subjekte politike, synojmë të masim pulsing e qytetarëve dhe brengat kryesore të tyre. Kjo pastaj përkthehet në veprime dhe vendime politike.

2. Këto matje të opinionit public i kontraktojmë në baza tremujore.

3. Lëvizja Vetëvendosje, për disa vite radhazi ka përzgejdhur një institut me të cilin kontraktojmë këto matje të opinionit publik. Është fjala për UBO Consulting, për të cilin besoj fuqishëm që është mbase kompania më serioze në këtë treg, dhe atë jo vetëm në Kosovë por edhe në regjion. Nëse dikush interesohet të analizojë në retrospektivë të gjeturat apo parashikimet e UBO Consulting, mbi rezultatet në zgjedhjet nacionale apo komunale, besoj se do bindet për seriozitetin e stafit të kësaj kompanie.

4. Të gjitha subjektet politike kontraktojnë shërbime të tilla në baza të rregullta. Secili subjekt politik që kontrakton sondazhe, natyrshëm shpreson në rezultat sa më të mirë për subjektin e tij. Meqë përqindjet e të gjitha partive politike, nuk mund të kalojnë 100%, atëherë logjikshëm që ngritja e përqindjes për një parti politike, nënkupton në minimum rënie ekuivalente të një partie tjetër politike.

5. Është mëse e kuptueshme dhe e pritshme, që sa herë një subjekt politik del mirë në parashikimet e matjes së opinionit publik, me shumë qejf dëshiron ta ndajë këtë me votusit e tij/saj dhe me publikun në tërësi.

6. Është fakt që në këto matje të dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar rritje eksponenciale dhe poashtu është fakt që veçanërisht ne në Lëvizje kjo na gëzon pamasë, Na gëzon sidomos për faktin që e interpretojmë si pikënisje e ndryshimit të madh për të cilin jemi duke punuar në vazhdimësi të gjithë ne së bashku. Këtë rezultat e shohim si konfirmim të frazës: Nuk ka asgjë më të fuqishme se sa një ide, së cilës i ka ardhur koha.

7. Ashtu edhe siç e kam potencuar në shkrimin e mëhershëm, këtë rezultat nga sondazhi e interpretojmë si një mesazh shumë të fuqishëm për të kurorëzuar sa më shpejt dhe me sukses përpjekjet për ndërtimin e koalicionit me LDK-në. Vendi ka nevojë emergjente për një qeveri stabile që të fillojë ballafaqimin me të gjitha ato sfida që na presin si në fushën e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, sigurisë dhe sundimit të ligjit, integrimit të brendshëm të komuniteteve joshumicë por edhe integrimeve evropiane.

VV publikon sondazhin ‘nëse zgjedhjet mbahen të dielën’

Zyrtari i LDK-së e quan ‘të fabrikuar’ sondazhin e VV-së