Zyrtari i LDK-së e quan 'të fabrikuar' sondazhin e VV-së

Florian Dushi, anëtar i kryesisë së Lidhjes Demoraktike të Kosovës, ka reaguar pas publikimit të një sondazhi nga Lëvizja Vetëvendosje “nëse zgjedhjet mbahen të dielen”.

Dushi në postimin e tij në Facebook ka shkruar se VV po mundohet ta detyrojë LDK-në të futet në koalicion ‘sipas kushteve të diktuara nga ta’.

“Dështimi që përmes presionit publik të organizuar e të orkestruar ta detyrojnë LDK-në të futet në koalicion sipas kushteve të diktuara nga VV, po i shtyen të duken qesharak si në paraqitje ashtu edhe në metoda”, thuhet në reagimin e Dushit.

Dushi këto sondazhe i ka quajtur të fabrikuara.

“Së fundmi, bashkë me “kërcënimin” për zgjedhje, kanë filluar të publikojnë sondazhe të fabrikuara (vizatuara) sipas dëshirës së tyre, sa për t’u vetkënaqur bashkë me proletarët e tyre trushpërlarë”, ka shkruar Dushi.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, ka folur për ngecjet në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, për formimin e Qeverisë.

Sipas Bislimit, kjo ngecje po ndodh pasi që në tavolinë kanë dalë kërkesa pa mbulesë siç i ka quajtur ai.

Ai poashtu ka publikuar statistikat nga sondazhi i fundit i kontraktuar nga Lëvizja Vetëvendosje, tek instituti kryesor për hulumtim të opinionit publik në vend, i cili ka treguar bindjet e qytetarëve dhe besimin që ata kanë në Lëvizjen Vetëvendosje dhe LDK-në.

Sondazhi tregon që nëse zgjedhjet e reja mbahen këtë të diel, VV do të fitonte 42.8 përqind të votave ndërsa LDK 21.6%.

VV publikon sondazhin ‘nëse zgjedhjet mbahen të dielën’