Vuçiq për takimin me delegacionin e Kosovës: Nuk do të jetë i lehtë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq para takimit me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti në Shtëpinë e Bardhë, nuk e ka quajtuar të lehtë këtë ballafaqim.

“Ne jemi dhjetëra metra larg Shtëpisë së Bardhë dhe brenda pak minutash, një takim i rëndësishëm me delegacionin e Prishtinës nën mbështetjen e presidentit dhe nuk do të jetë një takim i lehtë për ne. Gjithsesi ne jemi gati! Ne do të bëjmë më të mirën tonë për të arritur një kompromis për çështje të rëndësishme ekonomike”, ka shkruar Vuçiq në Facebook.

Ai theksoi se Serbia dëshiron paqe dhe stabilitet në rajon, si dhe i’u përgjigj deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti se në bisedime janë vetëm për njohje recirproke.

“Kam parë deklarata të shumta arrogante të zyrtarëve shqiptarë nga Kosova në lidhje me njohjen e Kosovës. Mesazhi im për të gjithë në Serbinë tonë të bukur është – dorëzimi nuk ishte kurrë një opsion!”, ka shtuar Vuçiq.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, para takimit me liderët e Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, ka deklaruar se do të diskutojnë për projekte të zhvillimit ekonomik.

Hoti ka theksuar se asnjë diskutim tjetër nuk bëhet me Serbinë përveçse për njohje reciproke.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen më 4 shtator në Uashington, me ftesë nga Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brein.

Ky është takimi i dytë i thirrur nga Uashingtoni. Një takim i planifikuar më 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.

Në fillim të këtij viti, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell kanë nënshkruar marrëveshjet apo letrat e interesit për linjën ajrore, atë hekurudhore dhe për autostrada ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por të cilat ende nuk kanë nisur së zbatuari.

Ky pajtim mes Kosovës dhe Serbisë është arritur në kohën kur dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ishte pezulluar për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore 100 për qind për produktet më origjinë nga Serbia.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rinisi në Bruksel më 16 korrik.