Hoti ndihet pozitiv para takimit me Serbinë, thotë se do të diskutohet për ekonomi

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, para takimit me liderët e Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, ka deklaruar se do të diskutojnë për projekte të zhvillimit ekonomik.

“Sot fillojmë me shumë pozitivitet takimin në Shtëpinë e Bardhë, bashkë me delegacionin për të diskutuar projektet e zhvillimit ekonomik mes dy vendeve, pritjet i kemi jashtëzakonisht pozitive në komunikimet që kemi pasur deri tash”, ka deklaruar Hoti për media.

Hoti ka theksuar se asnjë diskutim tjetër nuk bëhet me Serbinë përveçse për njohje reciproke.

“Unë besoj që marrëveshja e sotme që mund të arrihet për bashkëpunim ekonomik është një hap më afër normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve mes dy vendeve që është vetëm njohja reciproke”, ka shtuar ai më tej.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen më 4 shtator në Uashington, me ftesë nga Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brein.

Ky është takimi i dytë i thirrur nga Uashingtoni. Një takim i planifikuar më 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.

Në fillim të këtij viti, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell kanë nënshkruar marrëveshjet apo letrat e interesit për linjën ajrore, atë hekurudhore dhe për autostrada ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por të cilat ende nuk kanë nisur së zbatuari.

Ky pajtim mes Kosovës dhe Serbisë është arritur në kohën kur dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ishte pezulluar për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore 100 për qind për produktet më origjinë nga Serbia.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rinisi në Bruksel më 16 korrik.

Në takimet e zhvilluara së fundi në Bruksel, është diskutuar për të zhvendosurit, të pagjeturit dhe bashkëpunimin ekonomik.