Vrasja në Klinë, Tush Frroku ishte përballur me drejtësinë edhe për disa vepra të tjera penale

Një rast tragjik ka ndodhur pasditen e 7 gushtit në Klinë.

Një person është ekzekutuar me armë zjarri, e i dyshuar për këtë vrasje është Tush Frroku.

Pas aktit, i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes e gjatë ikjes po dyshohet se nën kërcënimin e armës ia ka grabitur veturën një qytetari.

Për gjetjen e Frrokut ishin kryer dhjetëra bastisje por ai nuk u kap deri më 15 gusht, kur u dorëzua në stacionin e Policisë në Pejë.

Avokati i tij, Gani Kelmendi, ka rrëfyer detaje se ku ishte fshehur Frroku për 8 ditë e deri në dorëzimin e tij në Polici.

Ndërsa, dosja e Prokurorisë, e siguruar nga KALLXO.com, tregon se Tush Frroku edhe më herët ishte përballur me organet e rendit dhe drejtësisë për mbajtje pa leje të armëve.

Mirëpo, për shkak të amnistisë kjo vepër penale është hedhur.

Për një vepër të tillë, duke shtuar këtu edhe tri të tjera, Frroku po dyshohet prapë.

Në dosje të Prokurorisë thuhet se i pandehuri po ashtu ishte dënuar edhe për veprën penale – ndryshim i njehsorit.

Lidhur me këtë, KALLXO.com ka kontaktuar avokatin e Frrokut, Gani Kelmendi, i cili ka thënë se nuk ka ndonjë njohuri për veprën penale të ndryshimit të njehsorit.

Por, avokati tha se ka vepër tjetër penale të vjedhjes dhe të vjedhjes së rëndë.

“Ai ka qenë katër vjet nën arrest, është arrestu duke ardhë në Itali. Në muajin shkurt, më 14, është dorëzu në Policinë e Kosovës edhe është liru me dënim me pranim fajësie për vjedhje dhe vjedhje të rëndë, është dënuar 11 muaj. I patën mbetë edhe 2 apo 3 muaj pa mbajtë, e lutëm për me shku në burg, po ai fati ke tash e vrau mikun edhe qeshtu” – tha Kelmendi.

Gjykata e Pejës ka caktuar masën e paraburgimit për Tush Frrokun.

Përpos që është i dyshuar për vrasje të rëndë, Frroku dyshohet edhe për tri vepra të tjera penale që dyshohet se i kreu po atë ditë, më 7 gusht: armëmbajtje pa leje, shtrëngim, dhe marrje në posedim e pagurisë së luajtshme.

48-vjeçari dyshohet për vrasjen e A.P. më 7 gusht, rreth orës 16:50, në një lokal në qendër të Klinës. Aty ai gjuajti me armë zjarri në drejtim të viktimës duke vënë në rrezik jetën edhe të personave të tjerë.

Dosja e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, thotë se vrasja u krye pas një mosmarrëveshjeje që i dyshuari e viktima kishin më herët.

Sipas dosjes, viktima në lokal gjendej me tezakun e tij në një tavolinë, e A.P. thuhet se ishte përcjellë nga Tush Frroku.

Dosja tregon se i dyshuari ishte futur në lokal me një armë dhe kishte filluar të gjuante menjëherë në drejtim të viktimës.

Nga këto të shtëna, viktima fillimisht merr plagë vdekjeprurëse, mirëpo pasi Frroku largohet e kthehet tek dera e hyrjes së lokalit ai ndalon aty e gjuan prapë në drejtim të viktimës duke e privuar atë nga jeta.

Këto veprime bën që i dyshuari të rrezikojë jetën e tezakut të viktimës, por edhe jetën e personave të tjerë që gjendeshin në lokal.

Dosja e Prokurorisë thotë se me të kryer aktin e vrasjes, ai largohet nga lokali dhe arratiset nga vendi i ngjarjes.

Avokati i tij, Gani Kelmendi, për KALLXO.com ka dhënë detaje nga dorëzimi i Frrokut që ndodhi më 15 gusht.

Sipas Kelmendit, ai pas dorëzimit është bastisur nga Policia dhe ka qenë i paarmatosur.

Avokati për KALLXO.com ka thënë se Tush Frroku nuk e di ku e ka hedhur armën e krimit.

“Kemi ardhë, jemi dorëzu në Pejë. I kam thirrë Policinë, na kanë pritë para dere, kemi hy brenda, e kanë bastisë, ka qenë i paarmatosur. Është mbrojtur në heshtje. Policia e kanë marrë në pyetje por ka thënë se për momentin nuk është i përgatitur me dhënë një deklaratë. U ka interesu arma ku ka mbetë. Ai nuk e di ku e ka gjujtë, sepse e ka gjujtë tuj ikë” – tha avokati.

Kelmendi ka dhënë informacione se ku ndodhej i dyshuari Tush Frroku deri më sot dhe si erdhi deri te dorëzimi i tij në Polici.

Sipas Kelmendit, i njëjti po qëndronte në një shtëpi të pabanuar në fshatin Burojë të Skenderajt.

Ai tha se e ka marrë të dyshuarin dhe e ka shoqëruar deri në stacionin e Policisë në Pejë.

Avokati bëri të ditur se Frokaj gjatë rrugës për në Polici është ushqyer, ka pirë kafe e ka blerë cigare.

“Unë kam shku e kam marrë, ka qenë i strehuar në një shtëpi të pabanuar në fshatin Burojë, rreth orës 15:30 dhe jemi shku e kemi marrë. Kam shku e kam pritë, pas rreth 15 minutave ka dalë. Si në mal ka qenë, njëfarë djerrine. Ka dalë, ka ardhë në kerr, kemi ardhë rrugës, ka hëngër bukë, ka pi një kafe, ka ble cigare”- ka treguar avokati Kelmendi për KALLXO.com.

Sipas tij, Frroku në Prokurori ka thënë se për momentin nuk është i përgatitur për të dhënë deklaratë.

KALLXO.com publikoi pamjet ekskluzive të kapura nga kamerat e sigurisë të momentit kur Frokaj i armatosur hyn brenda një lokali në Klinë, shkrep armën disa herë në drejtim të viktimës dhe del nga aty.