Vrapimi i mesnatës nga dëshira për t'u bërë pjesë e ushtrisë indiane (VIDEO)

Një 19-vjeçar nga India ka pranuar disa oferta pasi një video e tij duke vrapuar nga puna për në shtëpi u bë virale në rrjete sociale.

Në video ai shihet duke vrapuar ndërsa xhirohet nga regjisori Vinod Kapri, i cili i ofroi ndihmë Prapdeep Mehra për t’a dërguar në shtëpi me makinë.

Por Mehra nuk e pranoi ofertën, duke thënë se ai vrapon rreth 10 km çdo natë për të mbajtur veten në formë për t’u bashkuar me ushtrinë indiane, raporton BBC.

Videoja, e ngarkuar të dielën në mbrëmje, ka më shumë se 6 milionë shikime deri më tani.

Mehra po vraponte në shtëpi të shtunën pas një turni nate në një dyqan McDonald’s në qytetin Noida – në periferi të kryeqytetit kombëtar Delhi – kur Kapri e pa atë.

Regjisori tha se i ofroi ndihmë pasi e pa atë të vraponte me një çantë shpine, duke menduar se mund të ishte në telashe.

Ai e xhiroi nga makina e tij teksa ngiste ngadalë përkrah Mehras, duke i bërë pyetje për të kuptuar pse e refuzoi ndihmën e tij.

“Do të dashuroheni me këtë fëmijë nëse dëgjoni arsyen e tij”, ka shkruar regjisori teksa ka shpërndarë videon në Twitter.