Voton Rama: Tani është momenti i qytetarëve të thonë fjalën e tyre

Kryeministri Edi Rama ka votuar sot në Surrel, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama.

Rama tha se shpreson që situata e krijuar nga KQZ të mos ketë ndikuar.

“Tani është momenti i qytetarëve të thonë fjalën e tyre, shpresoj që situata e krijuar nga KQZ të mos ketë ndikuar në ata që duan të votojnë, të gjithë ata që mund të jenë dekurajuar të rikthehen në mënyrë që vullneti të shprehet i plotë” – ka thënë kryeministri shqiptar.

Sot po mbahen zgjedhjet lokale në Shqipëri, ku pritet të zgjidhen 61 kryebashkiakët e rinj.

Këto zgjedhje u paraprinë nga një situatë e pazakontë politike kur opozita ishte e përçarë dhe socialistët të vetëm kërkojnë rikonfirmimin në pjesën më të madhe të bashkive.

Nga 61 bashki, tri prej tyre, Vorë, Kamzë dhe Elbasan do të ketë votim dhe numërim elektronik dhe rezultati pritet të dalë 30 minuta pas përfundimit të votimit të qytetarëve.  Janë 3.650.550 zgjedhës me të drejtë vote, ndërsa 122.545 janë votues për herë të parë.

Sipas informacioneve janë 5211 qendra votimi të ngritura në të gjithë vendin./TopChannel/.