Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani - Foto: Kuvendi i Kosovës

Vjosa Osmani takon zyrtaren zvicerane Isabelle Moret, flasin për rolin e diasporës kosovare

Ushtruesja e detyrës e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh kryetare e Kuvendit të Kosovës, ka pritur në takim kryetaren e Këshillit Kombëtar zviceran (Dhoma e Ulët e Parlamentit), Isabelle Moret.

Osmani në një konferencë për media pas takimit tha se vizitën e Moret e shohin si afirmim të miqësisë së jashtëzakonshme ndërmjet popullit të Kosovës dhe të Zvicrës.

“Kam filluar duke e falënderuar Zvicrën për rolin dhe mbështetjen historike që i ka dhënë Kosovës, nga koha kur ne bënim përpjekje për liri dhe gjatë kohës së luftës kur populli ynë bëri sakrifica të mëdha e deri tek koha e tanishme, ku Zvicra vazhdon të na mbështesë në procesin e shtetndërtimit”, tha mes tjerash ajo.

Osmani shtoi se asistenca zvicerane për Kosovën ka qenë gjithnjë vendimtare dhe e rëndësishme. Ajo përmendi edhe rolin e diasporës në Zvicër, për suksesin jo vetëm nga ekonomia deri në futboll, por edhe se si mund të shërbejnë ata si një urë lidhëse mes të dyja vendeve.

Ndërkaq, presidentja e Këshillit Kombëtar Zviceran, Isabelle Moret, deklaroi se nga 180-250 mijë kosovarë që jetojnë në Zvicër investojnë në Kosovë  dhe marrin pjesë në jetën politike në Zvicër.

“Zvicra është vend i dytë si invesitori më i madh në Kosovë dhe sigurisht që kjo duhet të theksohet dhe ndihma e madhe që diaspora i dërgon ekonomisë dhe familjeve këtu në Kosovë. Zvicra vazhdon të promovojë stabilitetin dhe një paqe të vazhdueshme të një perspektive më të mirë në Kosovë”, tha ajo.