(VIDEO) Vetura zyrtare - e shkel gazin, e shkel ligjin në komunikacion 

Një furgon me targa zyrtare, ka bërë shkelje të dukshme të rregullave në komunikacion. Sipas një videoje dërguar nga një qytetar në adresë të KALLXO.com, shihet se vetura me targa 3Z, ka bërë tejkalim me një shpejtësi rreth 80 kilometra në orë, në rrugën e cila është e shënjuar për të vozitur me shpejtësi maksimale prej 40 kilometrash. Këtë dyfishim shpejtësie, furgoni zyrtar e arrin duke bërë një tejkalim të një veture tjetër.

Sipas qytetarit që ka dërguar videon, ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në fshatin Veriq të komunës së Istogut.

Ndërsa ditëve të fundit, pas shtimit të aksidenteve me fatalitet nëpër rrugët e Kosovës, Policia vazhdimisht ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në komunikacion, ndërsa së fundmi ka angazhuar edhe dronët, për monitorimin e trafikut rrugor.

VIDEO: Policia e Kosovës me ekipe të shtuara e dronë po monitoron komunikacionin