VIDEO: Policia e Kosovës me ekipe të shtuara e dronë po monitoron komunikacionin

Gjatë ditës së sotme ekipe të shumta të Policisë së Kosovës janë parë në vende të ndryshme duke monitoruar komunikacionin.

Rritja e pranisë së zyrtarëve policorë të Njësisë së Trafikut vjen pas shpeshtimit të aksidenteve në rrugët e Kosovës, disa prej të cilave përfunduan edhe me të vdekur.

Ekipi i KALLXO.com ka qenë bashkë me Policinë në një lokacion që po konsiderohet si “pikë e zezë“.

Fjala është për fshatin Korreticë të Drenasit.

 

Njësia e Trafikut sot është asistuar edhe nga Njësia e Reagimit të Shpejtë, e cila me dron kontrollonte nga qielli se kush po i thyente rregullat e trafikut.

Rreshteri i Njësisë së Trafikut në Prishtinë, Miftar Musliu, foli për planin dhe qëllimin e tij.

“Policia e Kosovës momentalisht dhe në vazhdimësi është duke implementuar planin operativ “Siguria në Rrugë”. Kemi zgjedhur pikërisht këtë lokacion në fshatin Korreticë sepse është një pikë kritike sa u përket aksidenteve, sidomos aksidenteve me fatalitet”, tha rreshteri Musliu.

Ai tregon edhe rolin e dronit në këtë operacion.

“Tash kemi në asistim edhe dronin e Policisë, është njësia e Policisë që angazhohet me dron të Policisë e që prej këtu mundemi me vëzhgu një pjesë bukur të mirë të rrugës. Kjo rrugë ka bukur shumë kthesa dhe vetëm me anë të patrullave nuk është shumë lehtë të preventohet”, tha tutje oficeri i Policisë.

Rreshteri Musliu tregon pse është e pranishme edhe Njësia e Reagimit të Shpejtë.

“Sikurse edhe Njësia e Trafikut edhe njësi tjera janë të angazhuara në asistim. Gjithashtu janë asistencë për Njësinë e Trafikut kur ka rezistencë apo kundërshtim të qytetarëve por nuk ka raste të shpeshta”, tregoi tutje ai.

Tutje rreshteri Musliu tha se me të gjitha kapacitetet po mundohen të parandalojnë aksidentet.

“Njësia e Trafikut Rajonal të Prishtinës ka në mbikëqyrje mbi 400 kilometra rrugë, është vështirë me i mbulu të gjitha por i japim prioritet rrugëve ku përmes raporteve që mblidhen vërejmë se ka ma shumë nevojë me i mbikëqyrë ato rrugë”, tha ai.

Zyrtari policor apelon që të respektohen rregullat e trafikut.

“Të gjithë qytetarët të kenë kujdes sidomos në tejkalimin e shpejtësisë për shkak se sikurse aksidentet me fatalitet edhe aksidentet me lëndime shkaktohen për këtë arsye dhe ndër faktorët kryesor është faktori njeri që nuk zbaton rregullat në trafik”, tha ai.