Foto: Policia e Shtetit, Shqiperi

VIDEO: 30 metra nën ujë gjendet arma që dyshohet se u përdor për grabitje të një banke në Shqipëri

Tridhjetë metra nën ujë është gjetur një armë në liqenin e Shkodrës, e cila dyshohet se është përdorur për grabitje të një banke në Koplik, Malësi të Madhe, në Shqipëri.

“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 09.05.2022, në Koplik, Malësi e Madhe, ku persona të paidentifikuar, nëpërmjet kërcënimit me armë dhe dhunës, morën një sasi të konsiderueshme vlerash monetare, në një bankë, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Shkodër, organizoi punën për zbardhjen e kësaj ngjarjeje”, thuhet një njoftimin e Policisë së Shtetit.

Të dyshuarit nën kërcënimin e armëve kanë grabitur një shumë të parave dhe kanë ikur me veturën e tyre, të cilën më pas e kanë djegur.

“Pas djegies së mjetit, nën kërcënimin e armëve, kanë ndaluar në rrugë automjetin me drejtues shtetasin T. L., të cilit ia kanë marrë me forcë automjetin dhe më pas janë larguar më shpejtësi në drejtim të fshatit Shegan, Njësia Administrative Kastrat, ku dhe e kanë braktisur këtë mjet”, thuhet në njoftim.