Vetëm 2 analiza mund të bëhen në QKMF në Vushtrri

Ndonëse thuhet se në laboratorin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Vushtrri mund të realizohen 19 analiza për pacientë, nga 26 janari në këtë qendër mund të kryhen vetëm dy analiza, ajo e sedimentimit të eritrociteve dhe urina.

Analizat e parapara që të kryhen në Laboratorin e QKMF-së në Vushtrri

Në arsyetimin e shkresës thuhet se analizat e tjera nuk punohen për shkak të mungesës së materialit shpenzues.

Abdullah Vojvdoda, drejtor i QKMF-së në Vushtrri tha se problemi qëndron tek mungesa e reagencave që nevojiten për kryerjen e analizave ndërsa theksoi se kanë pasur telashe edhe me aparatura.

Vojvoda tha se si drejtori e QKMF-së ata i kanë kryer procedurat dhe kërkesën e kanë bërë në dhjetor të 2021 por që çështja ka ngecur në Drejtorin e Prokurimit.

“Ne pak me aparaturë telashe sepse është bërë servisimi i disa aparaturave por në atë kryesoren që i kryen të gjitha analizat biokimike ende jo. Kemi mungesë të reagencave, prokurimi ka mbet mbrapa ne si QKMF çka është dashtë me përfundu i kemi përfundu me kohë, ne kërkesën e kemi bërë para vitit të ri. Kjo është problematik e prokurimit. Sa i përket çështjes laboratori jonë gjithmonë ia ka dal pavarësisht fluksit të pacientëvepor kur varet nga aparatura dhe reagencat është diçka tjetër”, tha ai për KALLXO.com

Hyda Dallku, drejtor i Prokurimit në Vushtrri tha se ata e kanë pranuar kërkesën e përmisuar në lidhje me materialet shpenzuese për analiza të QKMF-së më 26 janar.

“Unë kërkesën e përmisuar, definitive e kam marrë sot dhe po mundohemi që sot ta përfundojmë dhe nesër të shpallim tenderin. Është fjala se kontrata e mëhershme ka skadu, laboratori është në mungesë të disa reagencave”, tha ai.

Dallku për KALLXO.com tha se shpallja e tenderit për furnizim me reagenca/materiale shpenzuese për analiza do të bëhet me lote.

“Faktikisht kërkesën sot e kemi marrë se kanë pas korrigjime. Kanë shpreh kërkesë që tenderi me u nda në lote për shkak të numrit të madh të produkteve”, tha ai për KALLXO.com

Sot Komuna e Vushtrrisë ka hapur tenderin për furnizim me reagenca dhe materiale shpenzuese në vlerë 168 mijë euro.

Drejtori i Shëndetësisë në Vushtrri, Nexhmedin Rashica tha se problemi qëndron tek kërkesa nga laboratori i QKMF-së.

“Problem është që këta të laboratorit më 16 dhjetor e kanë bo kërkesën po nuk e kanë bo specfikacionin. Pak buxheti pak na kanë lënë edhe do punë ata përpara. Po tek dje ka ardh  në prokurim kërkesa me të gjitha specikacionet. Shpejt do të zgjidhet kjo punë të gjithë jemi tu u marrë me ta”, tha ai për KALLXO.com

KALLXO.com ka raportuar edhe për mungesën e materialeve të shtypura në të cilat bëhet përshkrimi i barnave dhe udhëzimet.

Për shkak të kësaj përshkrimi i tyre është bërë në copa letra nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Vushtrri dhe jo në letër-recept dhe urdhëresat që përdorën për këtë.

QKMF në Vushtrri mbetet pa materiale të shtypura, detyrohet që barnat dhe udhëzimet t’i përshkruaj në copa letre