Foto: Getty Images/CNN

Vdes një grua nga sulmi i tigrit në Kili

Një grua e re që punonte në një Park Safari në Kili, vdiq pasi u sulmua nga një tigër.

Gruaja, e cila nuk është identifikuar nga policia, ishte pjesë e stafit që pastronte dhe kryente punë mirëmbajtjeje në rrethimin e maceve të mëdha në një park në qytetin e Rancagua, 90 kilometra në jug të kryeqytetit Santiago, raporton CNN.

Vizitorët vizitojnë parkun derisa kafshët mund të lëvizin lirshëm. Kur stafi punon në zonë, kafshët janë të mbyllura në rrethime.

Gruaja që vdiq pësoi plagë në qafë nga sulmi i tigrit.

Williams Espinoza nga policia e Rancagua tha se gruaja nuk vuajti gjatë.

“Ajo nuk e kuptoi që dera e kafazit të kafshës ishte e hapur dhe u sulmua menjëherë nga ky tigër, duke shkaktuar vdekjen e saj në vend”, tha ai.

Parku u mbyll ndërsa policia po hetonte. Jorge Mena, nga zyra e prokurorit publik rajonal, tha se ata do të hetonin fajësinë e mundshme të palëve të treta për atë që ndodhi.

Parku Rancagua nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Gjendja e tigrit nuk dihet.