Ilustrim

Vazhdojnë polemikat mes mjekëve të larguar dhe QKUK-së

Pas reagimit të QKUK për largimin me dëshirë dhe punësimin në spital privat të kardiokirurgëve që u larguan javën e kaluar nga Klinika e Kardiologjisë në QKUK ka reaguar Arbër Kutllovci.

Kutllovci e ka quajtur ‘lojë të ndytë dhe të pacipë’ deklaratën e QKUK-së.

Po ashtu Kutllovci përmes publikimit i ka përmendur QKUK-së sukseset dhe imazhin duke shtuar se nuk është vetëm Klinika e Kardiologjisë ajo që është udhëhequr keq, por e gjithë Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Tutje ai ka thënë se është larguar me vetëdëshirë, por që ka ndikuar udhëheqësia e klinikës.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) përsëri ka reaguar në lidhje me largimin e dy kardiokirurgëve nga ky institucion.

ShSKUK përmes një publikimi në Facebook ka thënë se arsyeja e largimit të kardiokirurgëve ka qenë punësimi i tyre në institucion privat dhe se kjo është vërtetuar tashmë nga Spitali Amerikan.

“Për qëllime biznesore dhe personale, u veprua për ta dëmtuar imazhin e ndërtuar me punë dhe mund nga ana e QKUK-së, për Klinikën e Kardiokirurgjisë. SHSKUK, ka përkrahur dhe përkrahë mjekët që aftësitë e tyre profesionale t’i aplikojnë në praktikë, por nuk do të lejojë që të dëmtohet imazhi i institucionit për përfitime të individëve të caktuar, që në plan të parë kanë përfitimet personale dhe jo ato institucionale”, thuhet në reagimin e tyre.

ShSKUK ka publikuar edhe një fotografi ku shihet njoftimi i Spitalit Amerikan për punësimin e dy kardiokirurgëve.

Ditë më parë ShSKUK përmes një reagimi në Facebook ka thënë se dy kirurgët janë larguar nga Klinika me vetëdëshirë , pasi që, sipas tyre, të gjitha kushtet për ushtrimin e profesionit janë ofruar.

Menjëherë pas komunikatës së ShSKUK, kishte reaguar njëri ndër kirurgët e larguar, Arbër Kutllovci.

Kutllovci po ashtu përmes një publikimi në Facebook ka dhënë disa arsye se pse ka braktisur klinikën e Kardiokirurgjisë.

Ai, ka thënë se ndër arsyet kryesore të dorëheqjes së tij është ambienti përçarës nga shefi i klinikës, Adem Grbolar.

“Këto ditë janë bërë shkrime lidhur me dorëheqjen time nga Klinika e Kardiokirurgjisë, QKUK-së/SHSKUK. Jam menduar gjatë se nëse duhet të qëndroj brenda kësaj Klinike për të cilën kam punuar çdo ditë dhe pa kursyer veten, apo të jap dorëheqje. Ambienti përçarës dhe morbid që është krijuar brenda Klinikes së Kardiokirurgjisë nga ana e shefit të saj (Adem Grbolar), ka qenë shqetësimi im kryesor”, ka shkruar ai.

Kutllovci ka renditur disa pretendime që sipas tij ja kanë pamundësuar punën në Klinikë.

“Mungesa e vendim-marrjes për rastet kardiokirurgjike dhe centralizimi i kësaj vendim-marrje vetëm tek shefi, mungesa e listave operatore dhe manipulimi me to (superselektim i rasteve nga ana e shefit, njoftim për operacion disa orë para operimit, etj), distribuimi jo-proporcional i rasteve si nga numri ashtu edhe nga patologjia (rastet më të lehta për shefin e më të vështira për Arbërin, etj), keq-udhëheqja e Klinikes dhe presionet ndaj stafit duke përfshirë edhe mua, ka ndodhur që me një muaj shefi nuk më ka vendos rast për operim edhe pse kisha performancën më lartë profesionale, mos-marrje e përgjegjësisë profesionale nga ana e shefit (asnjë gatishmëri dhe asnjë kujdestari nuk e mban, ndërsa si duket është paguar për to), njoftimi im që i kam bërë udhëheqjes së kësaj Klinike dhe mos marrja e asnjë mase, më ka bërë që të vendos të largohem nga Klinika e Kardiokirurgjisë”, janë disa arsye që Kutllovci i ka renditur në reagim.

Po ashtu ai ka shkruar se gjatë kohës sa ka punuar pranë QKUK, ka punuar me rastet më të vështira e herë herë nga 5-6 javë nuk ka operuar.

“Ato raste që kam operuar jam njoftuar në ora 18:00 apo 22:00 se të nesërmen do ta operoj X-pacientin, ku shpeshtë kanë qenë të pa-përgatitura si duhet për operim. Rastet që i kam operuar dhe nuk kanë guxuar ti operojnë (duke përshirë edhe shefin) dhe kanë qëndruar me muaj në Klinikë, kanë kërkuar raport nga unë “pse ka shpëtuar pacienti pas operimit”!?!? Unë jam Kirurg dhe vendi i punës time është salla e operacionit. Nëse unë nuk operoj në një Klinikë duhet të gjej vendin se ku duhet të operoj, ku duhet të ofroj shërbimet e mija. Jam i vetëdijshëm që ka tendenca të minimizimit të kësaj pune, por e vërteta është kjo! Normal që unë do të angazhohem në ndonjë institucion për të kryer punën e Kardiokirurgut, sepse unë nuk “tredhi miza”, por operoj zemrën!”, ka përfunduar reagimi i tij.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), sot ka njoftuar se  dy kardiokirurgët, dr. Raif Çavolli dhe dr. Arbër Kutllovci, që kanë shërbyer në Klinikën e Kardiokirugjisë, kanë lëshuar punën me vetë dëshirë.

Sipas SHSKUK-së, ata kanë lëshuar punën, pasi kanë siguruar punë në njërin nga institucionet private shëndetësore.

SHSKUK ka mohuar pretendimet e tyre se janë penguar në punë.

Sipas tyre,  Klinika e Kardiokirugjisë, ka ofruar kushte dhe mundësi të njëjta pune për të gjithë kardiokirugët, dëshmia më e mirë për këtë është numri i procedurave të kryer në këtë shërbim.

Publikimi i plotë i Kutllovcit:

Kjo lojë e ndytë dhe e pacipë që bëhet në drejtim të Kardiokirurgëve që kanë dhënë dorëheqje për shkak të pengesave në ushtrimin e profesionit (të cilat pjesërisht i kam cekur në shkrimin e mëhershëm), nuk mund të qëndroj indiferent pa reaguar.

-Për çfarë suksesi dhe imazhi po flitni?

Ju e keni krijuar këtë imazh?!..

-Për çfarë suksesi po flitni?

Ju e keni bërë suksesin?!..

-Për çfarë përfitime po flitni?

Ju apo ne kemi përfituar?!

Tani po shtoj dyshimet e mija që keq-udhëheqja në Kardiokirurgji e paska pas bekimin e juaj si udhëheqësi e QKUK-së. Paskam qenë naiv që kam besuar se vetëm shefi i repartit Adem Grbolar s’paska ditë me udhëheq dhe ka udhëheq gabim qëllimisht…

Dalja ime është bërë me vetëdëshirë. Vetëdëshira ka lind nga injoranca që ka krijuar kjo udhëheqje e kësaj Klinike.

Imazhin e mirë “besoj” që ju e keni krijuar duke realizuar këto operime:

-Valvulen e parë biologjike, ndërrimin e valvulave me metoda minimale invazive, dy valvula, operacione të kombinuara dhe komplekse, disekacionin akut, etj etj.

D.m.th imazhi është krijuar nga mortaliteti i ulët që keni krijuar ju në vitin 2019 ?!

Dallimi qëndron këtu:

-Arbër Kutllovci në vitin 2019 ka kryer afërsisht 45 operime. Ka realizuar operimet më komplekse në Kardiokirurgji. Ka përfunduar vitin 2019 me 0% mortalitet në raste elektive tejet komplekse. Njeriun që ju e paskeni përkrahur në vitin 2019 ka kryer më shumë se unë operime. Ka realizuar operime super-selektive.Ka përfunduar vitin 2019 me mbi 20% mortalitet në raste elektive tejet selektive.

Sigurisht unë për “përfitime të ulëta” e kam rrënuar këtë imazh gjatë gjithë kohës, ndërsa ju për “çështje kombëtare” me punën e juaj dhe vartësve tuaj keni ngrit këtë imazh…Oh të mjerë keni menduar që unë nuk duhet të punoj, nuk duhet të jetoj…oh ju njoh të gjithëve ju njoh…mjerë ky vend e mjerë ata pacient në dorë të kujt kanë mbet…oh ju njoh të gjithëve ju njoh… Kardiokirurgjia ka një staf të mrekullueshëm brenda dhe që keq-udhëhiqet e dhunohet çdo ditë nga padijenia e cila sjell injorancë të pa-parë e të padëgjuar ndonjëherë! Të shpëtohet Kardiokirurgjia nga Injoranca!

ShSKUK: U vërtetua që kardiokirurgët e lanë QKUK-në për t’u punësuar në spital privat