QKUK - Foto: Atdhe Mulla

ShSKUK: U vërtetua që kardiokirurgët e lanë QKUK-në për t’u punësuar në spital privat

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) përsëri ka reaguar në lidhje me largimin e dy kardiokirurgëve nga ky institucion.

ShSKUK përmes një publikimi në Facebook ka thënë se arsyeja e largimit të kardiokirurgëve ka qenë punësimi i tyre në institucion privat dhe se kjo është vërtetuar tashmë nga Spitali Amerikan.

“Për qëllime biznesore dhe personale, u veprua për ta dëmtuar imazhin e ndërtuar me punë dhe mund nga ana e QKUK-së, për Klinikën e Kardiokirurgjisë. SHSKUK, ka përkrahur dhe përkrahë mjekët që aftësitë e tyre profesionale t’i aplikojnë në praktikë, por nuk do të lejojë që të dëmtohet imazhi i institucionit për përfitime të individëve të caktuar, që në plan të parë kanë përfitimet personale dhe jo ato institucionale”, thuhet në reagimin e tyre.

ShSKUK ka publikuar edhe një fotografi ku shihet njoftimi i Spitalit Amerikan për punësimin e dy kardiokirurgëve.

Ditë më parë ShSKUK përmes një reagimi në Facebook ka thënë se dy kirurgët janë larguar nga Klinika me vetëdëshirë , pasi që, sipas tyre, të gjitha kushtet për ushtrimin e profesionit janë ofruar.

Menjëherë pas komunikatës së ShSKUK, kishte reaguar njëri ndër kirurgët e larguar, Arbër Kutllovci.

Kutllovci po ashtu përmes një publikimi në Facebook ka dhënë disa arsye se pse ka braktisur klinikën e Kardiokirurgjisë.

Ai, ka thënë se ndër arsyet kryesore të dorëheqjes së tij është ambienti përçarës nga shefi i klinikës, Adem Grbolar.

“Këto ditë janë bërë shkrime lidhur me dorëheqjen time nga Klinika e Kardiokirurgjisë, QKUK-së/SHSKUK. Jam menduar gjatë se nëse duhet të qëndroj brenda kësaj Klinike për të cilën kam punuar çdo ditë dhe pa kursyer veten, apo të jap dorëheqje. Ambienti përçarës dhe morbid që është krijuar brenda Klinikes së Kardiokirurgjisë nga ana e shefit të saj (Adem Grbolar), ka qenë shqetësimi im kryesor”, ka shkruar ai.

Kutllovci ka renditur disa pretendime që sipas tij ja kanë pamundësuar punën në Klinikë.

“Mungesa e vendim-marrjes për rastet kardiokirurgjike dhe centralizimi i kësaj vendim-marrje vetëm tek shefi, mungesa e listave operatore dhe manipulimi me to (superselektim i rasteve nga ana e shefit, njoftim për operacion disa orë para operimit, etj), distribuimi jo-proporcional i rasteve si nga numri ashtu edhe nga patologjia (rastet më të lehta për shefin e më të vështira për Arbërin, etj), keq-udhëheqja e Klinikes dhe presionet ndaj stafit duke përfshirë edhe mua, ka ndodhur që me një muaj shefi nuk më ka vendos rast për operim edhe pse kisha performancën më lartë profesionale, mos-marrje e përgjegjësisë profesionale nga ana e shefit (asnjë gatishmëri dhe asnjë kujdestari nuk e mban, ndërsa si duket është paguar për to), njoftimi im që i kam bërë udhëheqjes së kësaj Klinike dhe mos marrja e asnjë mase, më ka bërë që të vendos të largohem nga Klinika e Kardiokirurgjisë”, janë disa arsye që Kutllovci i ka renditur në reagim.

Po ashtu ai ka shkruar se gjatë kohës sa ka punuar pranë QKUK, ka punuar me rastet më të vështira e herë herë nga 5-6 javë nuk ka operuar.

“Ato raste që kam operuar jam njoftuar në ora 18:00 apo 22:00 se të nesërmen do ta operoj X-pacientin, ku shpeshtë kanë qenë të pa-përgatitura si duhet për operim. Rastet që i kam operuar dhe nuk kanë guxuar ti operojnë (duke përshirë edhe shefin) dhe kanë qëndruar me muaj në Klinikë, kanë kërkuar raport nga unë “pse ka shpëtuar pacienti pas operimit”!?!? Unë jam Kirurg dhe vendi i punës time është salla e operacionit. Nëse unë nuk operoj në një Klinikë duhet të gjej vendin se ku duhet të operoj, ku duhet të ofroj shërbimet e mija. Jam i vetëdijshëm që ka tendenca të minimizimit të kësaj pune, por e vërteta është kjo! Normal që unë do të angazhohem në ndonjë institucion për të kryer punën e Kardiokirurgut, sepse unë nuk “tredhi miza”, por operoj zemrën!”, ka përfunduar reagimi i tij.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), sot ka njoftuar se  dy kardiokirurgët, dr. Raif Çavolli dhe dr. Arbër Kutllovci, që kanë shërbyer në Klinikën e Kardiokirugjisë, kanë lëshuar punën me vetë dëshirë.

Sipas SHSKUK-së, ata kanë lëshuar punën, pasi kanë siguruar punë në njërin nga institucionet private shëndetësore.

SHSKUK ka mohuar pretendimet e tyre se janë penguar në punë.

Sipas tyre,  Klinika e Kardiokirugjisë, ka ofruar kushte dhe mundësi të njëjta pune për të gjithë kardiokirugët, dëshmia më e mirë për këtë është numri i procedurave të kryer në këtë shërbim.