Vasfije Krasniqi Goodman, një nga të paktat kosovare që ka folur hapur për përdhunimin e saj gjatë luftës. Foto: Presidenca e Kosovës.

Vasfije Krasniqi dhe Besarta Jashari do të flasin në SHBA për përjetimet gjatë luftës në Kosovë

Viktima e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi Goodman dhe e mbijetuara e familjes Jashari, Besarta Jashari, do të flasin për përjetimet e tyre gjatë luftës në Kosovë, më 10 maj në një forum në New York.

Krasniqi ka njoftuar se organizimi do të ketë në vemendje gratë dhe dhunën si mjet lufte.

“Në vazhdimësi të luftës tonë për drejtesi, jam e nderuar të jem pjesë e një Aktiviteti në New York me 10 maj, 2022 në bashkëpunim me Qendrën prestigjioze Simon Wiesenthal dhe Rally for Justice që do të ketë në vëmendje gratë dhe dhunën si mjet lufte”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Pjesë e këtij forumi do të jenë edhe Përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Ferit Hoxha; ish-kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së dhe anëtari i Kongresit, Eliot Engel; fotoreporterja dhe fituesja e çmimit “Pulitzer”, Marissa Roth dhe Kadire Tahiraj, Drejtoreshë e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Kosovë.

Foto: Vasfije Krasniqi Goodman/Facebook