Stamboll - Foto: REL/Shutterstock

Turqi, 601 persona nga stafi mjekësor të infektuar me COVID-19

Ndërkohë që coronavirusi vazhdon të përhapet në të gjithë Turqinë, zyrtarët pranojnë se stafi mjekësor është ndër ata që janë më të prekur nga pandemia.

Ministri turk i shëndetësisë Fahrettin Koca të mërkurën tha se 601 punonjës mjekësorë, përfshirë mjekë, infermierë dhe staf tjetër, ishin infektuar nga coronavirusi.

“E gjithë përgjegjësia për luftimin e virusit është në duart e miqve tanë mjekë. Shumë staf mjekësor kanë humbur jetën në botë dhe 10 për qind e numrit të përgjithshëm të të infektuarve në Europë janë punonjës shëndetësie, edhe pse kjo shifër është më e ulët në Turqi”, tha Koca më 1 prill.

Ai shtoi se numri i infeksioneve në mesin e punonjësve të kujdesit shëndetësor vazhdon të rritet çdo ditë.

Ekspertët shëndetësorë dhe sindikatat po i kërkojnë qeverisë të përmirësojë mbrojtjen e punonjësve mjekësorë që janë në vijën e parë të luftës kundër pandemisë. Mjekët në terren raportohet se janë ankuar për mungesë të materialeve mbrojtëse, duke përfshirë maska, doreza, veshje speciale dhe dezinfektues, disa duke thënë se u duhet të përdorin të njëjtën maskë të përkohshme për orë të tëra.

Janë raportuar disa vdekje nga ekipet mjekësore për shkak të kësaj sëmundjeje. Cemil Tascioglu, një profesor në Spitalin Universitar të Stambollit, i cili është një nga spitalet kryesore që po merret me luftën kundër kësaj pandemie, ishte viktima e fundit që vdiq nga komplikimet që lidhen me coronavirusin.

Shoqata Mjekësore Turke, TTB, sindikata më e madh në vend, i bëri përsëri thirrje qeverisë më 1 prill të sigurojë më shumë materiale mbrojtëse për stafin mjekësor që është në grupin me rrezikshmëri të lartë.

Ministri i shëndetësisë Koca tha se qeveria po bënte çmos për të siguruar pajisjet dhe materialet e duhura mbrojtëse.

“Nëse ndonjë mjek ka nevojë për ndonjë gjë, ata mund të kontaktojnë drejtpërdrejt me ministrinë. Ne shpërndamë një milion maska javën e kaluar. Kemi ndaluar eksportimin e pajisjeve mjekësore dhe i gjithë prodhimi është tani për punonjësit tanë mjekësorë”, shtoi Koca.

Numri i rasteve dhe vdekjeve për shkak të coronavirus është rritur ndjeshëm në Turqi, pas konfirmimit të rastit të parë më 11 mars. Numri i rasteve është rritur në 16,679 dhe në vend ka pasur 277 vdekje për shkak të coronavirus, sipas të dhënave të fundit zyrtare më 1 prill.