Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Trump nominohet për të tretën herë për Çmimin Nobel për Paqe

Presidenti i ShBA-së Donald Trump ka marrur nominimin e tretë për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2020.

Trump këtë nominim e ka marrë nga një grup profesorësh australian të drejtësisë, transmeton Fox News.

“Ajo që ka bërë Trump me doktrinën është se ai ka vendosur që nuk do ta përfshinte Amerikën në luftëra të pafundme, luftëra të cilat nuk arrijnë asgjë përveç vrasjes së mijëra të rinjve amerikanë dhe borxheve të mëdha të imponuara Amerikës”, tha studiuesi australian David Flint për Sky News Australia.

“Ai po zvogëlon tendencën e Amerikës për t’u përfshirë në çdo luftë”, tha ai.

Flint vlerësoi rolin e presidentit në ndërmjetësimin e marrëveshjes paqësore midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

“Ajo që bëri Trump është se ai shkoi përpara dhe negocioi kundër të gjitha këshillave, por ai e bëri atë me mendje të shëndoshë. Ai negocioi drejtpërdrejt me shtetet arabe dhe Izraelin dhe i bëri bashkë”, tha Flint.

Trump u nominua për herë të parë për Çmimin Nobel të Paqes në vitin 2020 nga një anëtar i Parlamentit Norvegjez për rolin e tij në marrëveshjen e paqes Emiratet e Bashkuara Arabe-Izrael.

Ditë më vonë, një anëtar i Parlamentit Suedez e nominoi Trump përsëri pasi ai ndihmoi në sigurimin e një marrëveshjeje për marrëdhëniet e normalizuara ekonomike midis Serbisë dhe Kosovës.

“Është një nder i madh të nominohesh dhe e di që ka një domethënie të jashtëzakonshme”, i tha Trump korrespondentit të Fox News.

“Unë thjeshtë mendoj se është një gjë e shkëlqyeshme për vendin tonë. Kjo tregon se ne jemi duke u përpjekur të bëjmë paqe, jo luftë gjithë kohën”.