Tre pacientë me COVID-19 në Klinikën Infektive, gjendje të rëndë

Në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë të shtrirë 44 persona të infektuar me COVID-19 – sëmundjen që e shkakton coronavirusi – ka bërë të ditur infektologu Valbon Krasniqi.

Tre prej tyre janë në kujdes intensiv, ndërsa 7 të tjerë, sipas Krasniqit, kanë nevojë për oksigjeno-terapi.

“Në Klinikën [Infektive] aktualisht janë të shtrirë 44 pacientë të infektuar me coronavirus. Duhet të përmendet se gjendja e tre pacientëve është më e rënduar, pasi që janë në respiratorë. Po ashtu janë edhe shtatë pacientë të tjerë që kanë nevojë për oksigjeno-terapi”, ka thënë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka thënë se pas testimeve që janë duke u bërë, mund të ketë edhe të prekur të tjerë me coronavirus.

Në Kosovë aktualisht janë të infektuar 283 persona. Deri më tani, 58 janë shëruar dhe shtatë kanë vdekur. /REL