Klinë - 13.03.2020

Then karantinën e Klinës, infektohet me COVID-19

Një person nga Klina ka rezultuar sot pozitiv me coronavirus.

Siç ka njoftuar kryetari i kësaj komune, Zenun Elezaj personi është kontakt i një personi të infektuar me coronavirus nga qyteti i Gjakovës.

“Në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IPSHPK janë testuar 7 qytetarë të Komunës së Klinës, ku për fat të keq 1 person ka rezultuar pozitiv me virus. Personi prekur është nga fshati Bokshiq, kontakt i personit të konfirmuar si i prekur me coronavirus nga qyteti i Gjakovës”, bëri të ditur Elezaj.

Elezaj shtoi se e infektuara ka vizituar motrën e saj në Gjakovë, e cila kishte rezultuar pozitive ditë më parë.

“Sipas informacioneve që kemi kontakti ka rrjedhë nga vizita që e konfirmuara nga Bokshiqi i Klinës i ka bërë motrës së saj në Gjakovë, e cila ka dalë pozitive disa ditë më parë.  Lus qytetarët që të kufizojnë vizitat qoftë edhe tek me të afërmit, sepse kjo mund të na kushtojë me përhapje edhe me të madhe të virusit, siç po tregon edhe rasti i fundit”, ka thënë ai.

“Ne lutemi për përmirësimin e shëndetit të tyre, por ajo që duhet të bëjmë është të rrisim kujdesin dhe të i respektojmë udhëzimet e mjekëve dhe vendimet e institucioneve, sepse rreziku për përhapje është i madh”, ka shtuar ai.

Sipas tij, Shtabi Emergjent menjëherë do të filloj të hulumtoj kontaktet e mundshme që e infektuara ka pasur, të cilët do të udhëzohen në vetizolim dhe sipas nevoje do të iu bëhet edhe testimi.

“Izolimi, masat mbrojtëse e higjiena janë vërtetuar si mundësia më e mirë për mposhtjen e këtij armiku të padukshëm”, ka thënë në fund Elezaj.

Kujtojmë se qyteti i Klinës gjendet në karantinë që nga 14 marsi 2020.

30 persona janë diagonostifikuar me coronavirus sot në Kosovë, kurse janë shëruar edhe 9 persona.

Deri më tani, në Kosovë janë shënuar 510 persona të infektuar me coronavirus, 93 të shëruar dhe 12 viktima.

Në nivel global, numri i personave të prekur me COVID-19 deri më sot është 2,276 mijë e 359, 156 mijë e 118 viktima dhe janë shëruar 582,599 persona.