Talibanët lirojnë pesë shtetas britanikë

Të hënën më 20 qershor Talibanët liruan disa shtetas britanikë të arrestuar në Afganistan pas një marrëveshjeje që u arrit midis dy vendeve, thanë zyrtarët taliban dhe britanikë. Të arrestuarit u liruan të dielën pas një sërë takimesh midis zyrtarëve afganë dhe britanikë, tha Zabihullah Mujahid, zëdhënës i qeverisë talibane, në një deklaratë.

“Një numër i shtetasve britanikë, të cilët u arrestuan rreth gjashtë muaj më parë për shkelje të ligjeve dhe traditave të popullit afgan u liruan,” tha ai. Muxhahidi nuk saktësoi se çfarë ligjesh kishin shkelur qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar dhe nuk dha arsye se pse ishin ndaluar. Në deklaratë thuhet se të gjithë ata u zotuan të respektojnë ligjet e Afganistanit, traditat dhe kulturën e popullit afgan dhe të mos i shkelin më ato.

Zyra e Ministrisë së Jashtme britanike tha në një deklaratë të veçantë se të pestë personat “nuk kishin asnjë rol zyrtar në qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar në Afganistan dhe udhëtuan atje në kundërshtim me këshillat e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për udhëtimet në vend. Ky ishte një gabim.” Më 12 shkurt, qeveria në Londër tha se një “numër” shtetasish britanikë po arrestoheshin dhe se e kishte ngritur çështjen me talibanët.

Që kur morën pushtetin në gusht të vitit të kaluar, talibanët kanë imponuar dekrete të ashpra në Afganistan, duke iu rikthyer sundimit të tyre represiv të viteve 1990. Ata kanë kufizuar liritë dhe të drejtat e grave, të cilave tani u ndalohet të shkojnë në shkollë përtej klasës së gjashtë, dhe të pakicave të tjera. Vendi është zhytur në një krizë të paprecedentë, duke u kthyer drejt një shkrirjeje ekonomike ndërsa kriza humanitare dhe uria po afrohen.

Të paktën dy nga të arrestuarit ishin në Afganistan për të evakuuar fshehurazi shtetasit afganë që kishin punuar për ushtrinë amerikane dhe atë britanike. Talibanët e kanë bërë të qartë se afganët pa dokumente të duhura nuk do të lejohen të largohen nga vendi/REL