
Sveçla kërkon të sillen para drejtësisë përgjegjësit që plagosën një polic gjatë tentim vjedhjes në Kishën e Zllakuqanit
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kërkuar sjelljen para drejtësisë së personave që plagosën zyrtarin policor, Januz Vesesaj, gjatë reagimit në një tentim vjedhje në Kishën e Zllakuqanit në Klinë mëngjesin e sotëm më 09.05.2024.
Ministri Sveçla ka përgëzuar Policinë për përgjigjen e “shpejtë në trajtim të këtij rasti”.
“Gjatë reagimit në një tentim vjedhje në Kishën e Zllakuqanit në mëngjesin e sotëm, gjatë shkëmbimit të zjarrit me personat e dyshimtë është plagosur pjesëtari i Policisë së Kosovës Januz Veselaj. Përgëzoj zyrtarët policor për përgjigjen e shpejtë në rast pas marrjes së informatës dhe zyrtarin Januz Veselaj për reagimin profesional përkundër rrezikimit të jetës së tij”- ka shkruar Sveçla.
Tutje, ai bëri të ditur se ga Drejtori i Policisë është njoftuar se zyrtari Veselaj pas tretmanit të nevojshëm në QKUK është liruar për në shtëpi.
“I uroj shërim dhe kthim të shpejtë në detyrë. Kërkoj nga njësitet përkatëse zbardhjen sa më të shpejtë të këtij rasti dhe sjelljen e kriminelëve para drejtësisë. Kushdo që në çfarëdo forme tenton të cënojë jetën apo pronën e qytetarëve tanë dhe shtetit tonë do të ballafaqohet me forcën e ligjit”- ka shtuar më tej ministri.
KALLXO.com ka provuar që të marrë një përgjigje edhe nga Policia e Kosovës, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë përgjigjje.