Shkupi - Foto: Naser Sertolli / KALLXO.com

Sulmohen fizikisht punëtorët e kontrollit të fluturimeve në Maqedoninë e Veriut

Kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Fluturimit në Maqedoninë e Veriut, Aleksandar Tasevski, ka thënë se disa persona dje gjatë ditës kanë sulmuar fizikisht punëtorë të kontrollit të fluturimeve në Maqedoni të Veriut.

Sipas tij, sulmuesit kanë hyrë në objekt pa u penguar nga sigurimi dhe kanë shkaktuar probleme.

Tasevski po ashtu ka thënë se rasti është raportuar në stacionin policor në Petrovec.

“Në objektin e kontrollimit të fluturimeve, kanë ardhura disa vetura, prej ku kanë dal disa persona, të cilët kanë hyrë në objektin e kontrollimit të fluturimit, kanë shkaktuar përleshje dhe kanë sulmuar të punësuarit në kontrollin e fluturimeve, kolegët e mi” – ka shkruar Tasevski në Facebook.

Ai ka pretenduar se veturat kanë hyrë pa u penguar nga sigurimi, që janë nga një kompani private e që sipas tij, marrëveshja i ka skaduar më herët.

“Veturat kanë hyrë pa u ndërprerë nga sigurimi, që janë një kompani e jashtme, të cilës sipas informatave tona i ka mbaru marrëveshja më herët, ndërsa nuk kemi informata nëse i është vazhduar përsëri. Anën tjetër nuk ka reaguar as sigurimi i M-NAV që gjendet në objektin e njëjtë”, deklaroi Tasevski.

Portali në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut Portalb.mk raporton se ngjarjet e këtilla kanë ndodhur pasi që Tasevski ka akuzuar se në M-NAV po punësohen persona partiak dhe familjarë në pozita të shpikura, nëpërmjet shpalljeve të dyshuara. Kontrollorët disa herë janë kërcënuar me grevë, ndërkaq së fundmi dhanë dorëheqje 7 inxhinierë nga Sektori për Teknikë Ajrore, pasi që sipas tyre, janë pranuar në punë kuadro jopërkatës për inxhinierë dhe instruktorë.

Pretendimet e këtilla i ka hedhur poshtë drejtori Hamidi dhe kompania M-NAV.

Sipas këtij portali, mosmarrëveshje mes Sindikatës dhe drejtorit Hamidi ka pasur edhe në vitin 2022, kur Sindikata akuzoi se Hamidi dëshiron ta shfuqizojë shpalljen për kontrollues të fluturimit, pasi prej 270 të paraqiturve, vetëm 8 kandidatë e kanë kaluar testimin, në mesin e të cilëve nuk janë edhe fëmijët e disa prej funksionarëve partiak të BDI-së. Edhe këtë akuzë, asokohe e mohoi Hamidi.

Nëse drejtorët e Navigacionit të Maqedonisë (M-NAV) nuk japin dorëheqje ose Qeveria nuk i shkarkon në seancën e ardhshme të caktuar për të martën (09.01.2024), Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror do të hyjë në grevë nga dita e mërkurë, duke mbyllur hapësirën ajrore, raporton Portalb.mk.