Studiuesit: Virusi që shkakton sëmundjen COVID-19 mbijeton në disa sipërfaqe deri në 28 ditë

Virusi përgjegjës për COVID-19 mund të mbetet infektues në sipërfaqe të tilla si kartëmonedha, ekranet e telefonit për 28 ditë, thonë studiuesit.

Gjetjet nga Agjencia Kombëtare e Shkencës australiane thonë që SARS-Cov-2 mund të mbijetojë për shumë më gjatë në sipërfaqe nga sa mendohej, raporton BBC.

Virusi më së shpeshti transmetohet kur njerëzit kolliten, teshtijnë ose flasin.

Por ekspertët thonë se mund të përhapet edhe nga grimcat në ajër, si dhe në sipërfaqe të tilla si metali dhe plastika.

Studimet e mëparshme laboratorike kanë zbuluar se SARS-Cov-2 mund të mbijetojë për dy deri në tre ditë në kartëmonedha dhe qelq, dhe deri në gjashtë ditë në plastikë dhe çelik inox, megjithëse rezultatet ndryshojnë.

Por studimi i fundit nga Agjencia australiane CSIRO zbuloi se virusi ishte “jashtëzakonisht i fortë”, duke mbijetuar për 28 ditë në sipërfaqe të lëmuara si xhami i gjetur në ekranet e telefonit celular dhe kartëmonedha plastike dhe letre, kur mbahen në 20 gradë celsius, që është përafërsisht temperatura e dhomës.

Në krahasim me të, virusi i gripit mund të mbijetojë në të njëjtat rrethana për 17 ditë.

Eksperimentet u kryen në errësirë, pasi drita UV tashmë është treguar se vret virusin.