Stoltenberg: Ukraina nuk do të jetë në gjendje të anëtarësohet në NATO, ndërkohë që lufta është në vazhdim

Ukraina nuk do të jetë në gjendje të bashkohet me NATO-n për sa kohë që lufta po vazhdon, ka deklaruar të mërkurën shefi i aleancës, Jens Stoltenberg gjatë një ngjarje të organizuar nga Fondi Gjerman Marshall i SHBA-së në Bruksel.

“Mendoj se të gjithë e kanë kuptuar se, të bëhesh anëtar në mes të një lufte, nuk është në rendin e ditës,” raporton Reuters.

“Çështja është se çfarë ndodh kur të përfundojë lufta.”

Uashingtoni po i shqyrton raportet se pajisjet amerikane janë përdorur nga Ukraina brenda Rusisë, u ka thënë gazetarëve të mërkurën zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Kirbi ka shtuar se SHBA ka qenë e qartë me Kievin se nuk e mbështet ndonjë përdorim të tillë të pajisjeve të prodhuara nga SHBA.

Kremlini zyryar ka thënë se përdorimi i pajisjeve ushtarake të prodhuara nga SHBA nga luftëtarët pro-ukrainas, të cilët kryen një bastisje në një rajon kufitar rus këtë javë, ishte dëshmi e përfshirjes në rritje të Perëndimit në konfliktin e Ukrainës.

Ushtria ruse ka thënë të martën se i ka shpartalluar militantët që sulmuan rajonin kufitar rus të Belgorodit me automjete të blinduara një ditë më parë, duke vrarë më shumë se 70 “nacionalistë ukrainas” dhe duke e zbrapsur pjesën e mbetur përsëri në Ukrainë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy u bëri thirrje iranianëve të mërkurën që ta rishqyrtojnë furnizimin me dronë vdekjeprurës në Rusi.

Dronët Shahed të prodhuar nga Irani, të furnizuar në Moskë, kanë luajtur një rol të madh në sulmet e Rusisë ndaj qyteteve dhe infrastrukturës.

“Pyetja e thjeshtë është kjo: Cili është interesi juaj për të qenë bashkëpunëtor i terrorit rus?” ka thënë Zelenskiy në video-adresimin e tij të natës. “Cili është përfitimi i Iranit nga një vrasje e tillë cinike?”- ka pyetur ndër tjerash presidenti ukrainas./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala