Si u përça ‘Aleanca për Shqiptarët’ në Maqedoni të Veriut?
Deputeti shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela, në emisionin “KallxoPërnime” ka folur rreth përçarjes brenda kësaj partie.
Sipas Selës, kjo parti erdhi në këtë pikë për shkak të iniciativave të ish-kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.
Ai në emisionin “KallxoPërnime” ka thënë se nuk mendon që kjo parti mbi të gjitha është përçarë pasi siç shtoi ai, mbi 90% e strukturës partiake është aty.
“Histori e gjatë, por realisht nuk mendoj që Aleanca për Shqiptarët është përçarë për shkak se mbi 90% e aktivit politik të saj është aty është e bashkuar. Është strukturë e mirë organizuar politike, në këtë situatë jo të lakmueshme erdhëm si pasojë e vetiniciativave të kryetarit të partisë tani më ish, pasi u mbajt Kongresi në bazë të vendimit të Kuvendit Qendror dhe ku u mor iniciativa për shkarkimin e tij, por edhe në kongres u rikonfirmua iniciativa” – tha Sela.
Ai më tej ka akuzuar ish-kryetarin Arben Taravari për izolim nga kjo parti dhe strukturat udhëheqëse të saj.
“Kemi pasur një periudhë të vështirë muajve të fundit si parti, kryetari i saj u izolu komplet nga struktura legjitime partiake, duke nisur nga këshilli drejtues ku bën pjesë kryetari i partisë, kryetari i kuvendit në rastin konkret unë, sekretarët, nënkryetarët e partisë dhe u izolu komplet edhe nga organi që udhëheq kryetari i partisë që është Kryesia Qendrore dhe gjithë kjo prodhoj një situatë dhe kulminoj në momentin kur kryetari Taravari shpreh qëndrime shumë politike të ndjeshme për momentin politik në të cilën ndodhet Aleanca për Shqiptarët, por edhe shqiptarët në Maqedoni dhe nëpërmjet një statusi në Facebook shprehet se me kë duhet bërë koalicion, natyrisht kjo provokoj situatën brenda strukturave partiake se në fund të ditës nuk sjell vendim individi brenda një organizate politike por individi vetëm propozon” – tha tutje Sela.
Më 18.02.2024, Aleanca për Shqiptarët mbajti kongresin e jashtëzakonshëm të thirrur nga Ziadin Sela.
Me 591 vota është shkarkuar Arben Taravari nga pozita e kryetarit të ASH-së, pasi vendosi ta vazhdonte rrugën e tij me opozitën shqiptare. Ziadin Sela, si kandidat i vetëm e rimori drejtimin e partisë.
Kjo mbledhje erdhi si reagim ndaj zhvillimeve brenda partisë, pas kongresit të organizuar nga Taravari, në të cilin ai u konfirmua si kandidat i opozitës për president të Maqedonisë së Veriut.
Megjithëkëtë, Sela është në gjyq për legjitimimin e pozitës së tij si kryetar partie.
“Unë nuk e shifsha të nevojshme që të jemi në gjyq (me Arben Taravarin), lidhur me atë vendin që e solli kongresi i partisë, por ish-kryetari i partisë, z. Taravari e bojkotoi edhe Kuvendin Qendror, nuk ishte aty edhe në Kongresin e partisë që ishte i ftuar dhe nuk ishte aty” – tha Sela.
Sela ka sqaruar se deri në muajin prill 2024, Gjykata Themelore e Tetovës në Maqedoninë e Veriut do të vendos se kush është kryetar legjitim i partisë, Aleanca për Shqiptarët.
“Gjykata Themelore duhet të marr një vendim, lidhur me atë se kush është kryetar legal i ASH-së” – ka thënë tutje Sela.