
Gjykata e Gjakovës
Shtyhet seanca për keqpërdorim detyre, ish-zyrtari në Malishevë kërkon të flasë me prokurorin
Gjykimi për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj ish-shefit të shërbimeve publike në Malishevë, Ismet Mazreku, u shty për datën 27 tetor.
Këtë shtyerje e kërkoi i akuzuari Ismet Mazreku, për shkak i njëjti kërkoi që të flasë me prokurorin e çështjes, Ali Uka.
Mazreku tha se dëshiron të bisedojë me prokurorin lidhur me disa pretendime që kanë të bëjnë me rastin dhe se pastaj varësisht nga vlerësimi i Prokurorisë të vazhohet me gjykimin e rastit.
Ndërsa, kryetari i trupit gjykues Nikollë Komani bashkë me anëtarët Besarta Doli dhe Mentor Bajraktari caktuan datën 27 tetor për mbajtjen e seancës së radhës.
Ky rast, pasi që kishte marrë verdiktin përfundimtar nga Gjykata e Gjakovës, ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme, e cila kishte anuluar aktgjykimin e Apelit dhe të Themelores.
Gjykata e Gjakovës i kishte shqiptuar 6 muaj burg të akuzuarit po ky dënim me kërkesën e të akuzuarit iu zëvendësua me gjobë prej 3.400 euro.
Po ashtu, si obligim tjetër Ismet Mazrekut iu dha kompenzimi i dëmit ndaj komunës së Malishevës, në shumë prej 8.727.90 euro.
Ismet Mazreku, ish-shef i Shërbimeve Publike në komunën e Malishevës, po akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës se kishte bërë manipulime me furnizim të kabllos elektrike në fshatin Gajrak të Malishevës, në vlerë mbi 8 mijë euro.
Mazreku akuzohet se ka pranuar kabllon me tension të ulët ndërsa kablloja është dashur të vendoset me tension të lartë, sipas shkresës së raportit.
Ndërkaq gjykatësi Nikollë Komani, i ndihmuar nga anëtarët Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli, caktuan datën 20 janar, për shpalljen e aktgjykimit.
Gjatë gjykimit, i akuzuari ishte deklaruar i pafajshëm për veprat për të cilat e akuzon Prokuroria.