Shoqata e Gastronomëve paralajmëron masa të reja anti COVID-19

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës kanë njoftuar për masa të reja, të cilat do të hyjnë në fuqi nga java tjetër.

Sipas njoftimit të shoqatës në Facebook, nga java e ardhshme stafi i gastronomisë duhet të jenë të pajisur me certifikatë të vaksinimit, në kuptim të operimit të biznesit.

Po ashtu në njoftim thuhet se edhe qytetarët të kenë së paku një dozë të vaksinës, në rast të frekuentimit të të gjitha lokaleve të gastronomisë, si restaurante, kafiteri, salla të dasmave, klube të natës dhe aktivitete tjera.

Në njoftim thuhet se orari i operimit të bizneseve do të rritet deri në ora 12:00 të mesnatës, sipas rregulloreve komunale, e po ashtu vlen e njëjta edhe për klubet e natës të cilat do të funksionojnë deri në ora 03:00 të mëngjesit.

Këto masa të reja janë paralajmëruar pas takimit me Ministrin e Shëndetësisë, z. Arben Vitia, dhe përfaqësues të IKSHP-së në mënyrë që të parandalohet përhapja e variantit Delta.