Forcat RENEA në vendin e vrasjes së efektivit te FNSH-së. Foto:Elvis Hila

Shkodër, arrestohet një nga të dyshuarit për vrasjen e policit

Dy javë pas ekzekutimit të punonjësit të FNSH-së Shkodër Xhulio Prela, policia njoftoi se kishte zbardhur ngjarjen dhe arrestuar njërin nga autorët e dyshuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Sipas policisë së Lezhës si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, “u bë i mundur sigurimi i provave për autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje dhe ata janë shtetasit Nikoll Sherniku 26-vjeç dhe shtetasi me iniciale B.M.”

Policia njoftoi se kishte arrestuar Nikoll Shernikun, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, ka caktuar masën e sigurisë  “Arrest me burg”  për veprën penale  “Vrasje me  paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Ndërkohë në lidhje më këtë ngjarje është shpallur në kërkim ndërkombëtar B.M dhe vijon puna intesive për lokalizimin dhe kapjen e tij. “Nga tërësia e veprimeve dyshohet se shtetasit e latpërmendur kanë qëlluar me armë zjarri efektivin e policisë Xhulio Prela pas një konflikti të çastit për dritat e makinës”, thanë burime të policisë.

Efektivi i FNSH-së, Xhulio Prela u ekzekutua në orët e para të mëngjesit të datës 5 dhjetor me një plumb në gjoks në Lezhë teksa po kthehej nga Shkodra për në Tiranë. (reporter.al)