Foto: VOA/Reuters
ShBA - Rikthehet kontrolli në Kongres, policia konfirmon katër viktima
Policia e Uashingtonit thotë se katër njerëz kanë vdekur gjatë sulmit në ndërtesën e Kongresit. Përveç një gruaje të qëlluar nga policia, tre të tjerë vdiqën si rezultat i “urgjencave mjekësore”. Deri më tani, më shumë se 52 persona janë arrestuar – 47 prej tyre për shkelje të rregullave të izolimit.
Mediat amerikane po raportojnë se gruaja që u qëllua dhe u vra gjatë sulmit në Kongres ishte një veterane e Forcave Ajrore të SHBA-së. Ajo mendohet të jetë qëlluar pasi hyri në ndërtesë së bashku me protestuesit e tjerë.
Ndërtesa e Kongresit në Uashington u shpall “e sigurt” nga zyrtarët, katër orë pasi mbështetës të presidentit në largim të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, hynë dhunshëm atje.
Përgjegjësi për sigurinë e Kongresit, rreshteri Paul Irving, u tha ligjvënësve që ishin evakuuar, se “ndërtesa është pastruar”.
Ligjvënësit amerikanë rifilluan debatin dhe u zotuan se do ta bëjnë certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të nëntorit, pasi mbështetës të presidentit në largim, Donald Trump, e ndërprenë dhunshëm senacën e Kongresit.
Çfarë ndodhi më herët?
Mbështetësit e Trumpit hynë në ndërtesën e Kongresit, derisa ligjvënësit ishin mbledhur për të konfrimuar fitoren e presidentit të zgjedhur, Joe Biden.
Seanca u ndërpre, ndërsa disa anëtarë të Kongresit u evakuuan në zyrat e tyre.
Nënpresidenti Mike Pence, i cili po mbikëqyrte sesionin e përbashkët të Kongresit, u pa duke u larguar nga sigurimi.
Garda Kombëtare është mobilizuar për t’iu ofruar mbështetje zyrtarëve federalë të zbatimit të ligjit.
Nga ora 6 e pasdites, sipas kohës lokale, në Uashington ka hyrë në fuqi ora policore, e cila do të zgjasë deri në 6 të mëngjesit.
Nga pamjet televizive të transmetuesve amerikanë duke se turmat e njerëzve janë duke u larguar.
Presidenti i zgjedhur, Biden, u bëri thirrje turmave që të tërhiqen, ndërsa protestat i cilësoi si “moment i errët” për demokracinë amerikane.
Ai po ashtu i bëri thirrje presidentit Trump që të paraqitet në televizionin kombëtar dhe të kërkojë që t’i jepet fund “rrethimit” të Kongresit.
“Demokracia jonë është nën një sulm të paparë … Ky nuk është mospajtim, është rebelim, është kaos”.
“Fjalët e një presidenti kanë rëndësi … Prandaj, unë i bëj thirrje presidentit Trump të dalë në televizionin kombëtar për të përmbushur betimin e tij dhe për të mbrojtur Kushtetutën”, tha Biden duke folur nga shteti i tij Dellauer.
“President Trump, vepro”, tha ai.
Trump, në një mesazh televiziv drejtuar mbështetësve, tha se “është koha për të shkuar në shtëpi”.
“Unë e di dhimbjen tuaj. Unë e di lëndimin tuaj”, tha Trump, duke pretenduar në mënyrë të rreme se zgjedhjet janë “vjedhur”.
“Të gjithë e dinë. Sidomos ana tjetër. Por, ju duhet të shkoni në shtëpi tani. Na duhet të kemi paqe. Na duhet të kemi ligj dhe rend”, tha ai.
Më herët, përmes një postimi në Twitter, ai bëri thirrje për qetësi.
“Kërkoj nga të gjithë në (ndërtesën e) Kapitolit të SHBA-së, të qëndrojnë të qetë. Jo dhunë! Mos harroni, ne jemi Parti e Ligjit dhe Rendit – respektoni Ligjin dhe burrat dhe gratë tona të shkëlqyera në blu. Faleminderit!”, shkroi Trump në Twitter.
Në një tjetër postim, ai tha: “Mbajeni mend këtë ditë përgjithmonë”.
Mbështetësit e Trumpit marshuan drejt ndërtesës së Kongresit, ku u përballën me policinë, pasi presidenti iu drejtua atyre gjatë ditës.
“Ne kurrë nuk do të dorëzohemi”, u tha Trump turmave.
Arrestime dhe konfiskim armësh
Policia metropolitane e Uashingtonit tha se së paku 52 individë u arrestuan gjatë trazirave në Kongres.
Pesë armë, përfshirë pistoleta dhe armë të gjata, u konfiskuan gjithashtu.
Shefi i policisë, Robert Contee, u tha gazetarëve se të gjithë të arrestuarit janë njerëz që nuk jetojnë në zonën e Uashingtonit.
Ai po ashtu tha se disa oficerë janë duke u trajtuar për lëndime.
Certifikimi i rezultatit zgjedhor – hapi i fundit zyrtar përpara inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden, më 20 janar – është normalisht një procedurë rutinore, por këtë vit u shndërrua në debat të ashpër, pasi një grup republikanësh e kundërshton certifikimin në disa shtete.
Së paku 14 senatorë republikanë dhe rreth 140 anëtarë republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë thënë se do t’i sfidojnë rezultatet e disa shteteve. Por, ky vendim i i ka ndarë edhe vetë republikanët.
“Votuesit, gjykatat, shtetet – të gjithë kanë folur. Nëse i tejkalojmë ata, ne do ta dëmtojmë republikën tonë përgjithmonë”, tha Mitch McConnell, pasi disa republikanë kundërshtuan certifikimin e rezultatit në Arizona.
Nënpresidenti aktual, Mike Pence, tha se roli i tij “kryesisht ceremonial” në seancën e sotme të Kongresit, nuk e lejon atë që ta ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve dhe fitoren e Bidenit.
Në një deklaratë me shkrim, Pence tha se është gjykim i tij që Kushtetuta amerikane e ndalon atë ta bëjë një gjë të tillë.
“Presidenca i përket popullit amerikan dhe vetëm atij”, tha Pence.
Kolegji Zgjedhor – sistemi i përdorur për të zgjedhur presidentin e SHBA-së – e ka konfirmuar fitoren e Bidenit në muajin dhjetor.
Ligjvënësit republikanë planifikojnë t’i kundërshtojnë votat elektorale në së paku gjashtë shtete – Arizona, Xhorxhia, Nevada, Miçigen, Pensilvani dhe Uiskonsin.
Përpjekja e republikanëve nuk ka pothuajse asnjë shans për ta parandaluar Bidenin që të marrë detyrën më 20 janar, sepse demokratët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe mjaft republikanë e kundërshtojnë përpjekjen./REL