Serbia dhe Kosova nuk ishin mjaftueshëm insistuese për arritjen e një progresi në takimin e Ohrit

Fakti që Samiti i Maqedonisë së Veriut ishte më shumë një pikë kthese historike, reflekton pozicionin e brendshëm të dy liderëve.

Askush nuk mund t’i fajësojë diplomatët e BE-së për rritjen e pritshmërisë për një “progres historik” përpara takimit të vështirë të së dielës në Ohër midis presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Ajri ishte i dendur me mundësi bisedimesh dhe me mundësi tjera që duhej të shfrytëzoheshin. Nëse bota e gjerë nuk do të ishte aq e interesuar, rajoni i Ballkanit ishte i mbërthyer nga një lloj fantazie se një nga konfliktet më të nxehta dhe më të gjata të rajonit do të ftohej në mënyrë dramatike nëpërmjet një plani normalizimi të BE-së me ca lloj nuancash artizanale ku secilit prej tyre i ofrohej një kafshatë e vogël.

Serbët do ta marrin një asociacion komunash në Kosovë, duke i siguruar Beogradit fjalën e saj jozyrtare, mirëpo definitive në qeverisjen e brendshme të Kosovës.

Serbia nuk do t’i japë Kosovës njohje diplomatike, të cilën nuk e lejon kushtetuta e saj e vitit 2006, por do të lidhet me një marrëveshje që të ndalojë së përfaqësuari Kosovën ndërkombëtarisht, një pranim de facto se Kosova është një vend i veçantë, jo një krahinë e humbur përkohësisht.

Diplomatët e BE-së vetëm po bënin punën e tyre në prag të takimit Ohrit, të cilët duhej të vepronin si grupe profesionistësh tifozi të futbollit amerikan që qëndrojnë në limitet e kontaktit me njëra-tjetrën, duke i pompuar tifozët dhe lojtarët me ovacione të sinkronizuara e të gëzueshme të fitores.

Megjithatë, rezultatet e vërteta të Ohrit pas gjithë kësaj rrëmuje ishin të dobëta. Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, me plot guxim shkroi në Twitter pas një dite bisedimesh: “Kemi një marrëveshje” – por ku janë edhe nënshkrimet e shumë të rëndësishme?

Ndoshta më e rëndësishmja, të dy liderët kanë bërë deklarata bishtnore, në dukje kontradiktore, se çfarë përfshin kjo marrëveshje, Kurti pretendon se e ka fituar njohjen për Kosovën dhe Vuçiq pretendon se Kosova është dorëzuar në çështjen e gjatë të asociacionit të komunave.

I vetmi lëshim i vërtetë nga Vuçiq ishte pranimi se në takimin e radhës, kurdo që të ndodhte, Serbia do të ishte e detyruar të jepte diçka, edhe nëse nuk do të kishte lëvizur nga pozicioni këtë herë. “Kur të takohemi herën tjetër, pas një muaji, dy, tre, do të flasim për disa nga obligimet tona”, ka deklaruar Vuçiq në mënyrë të paqartë, duke mos i renditur asnjë nga ato detyrime.

Një prej indokatorëve është edhe heshtja pothuajse e plotë nga Kosova dhe Serbia, si dhe nga BE-ja që nga takimi i Ohrit.

A do ta kryesojë Kurti, i cili e ka kaluar tërë jetën e tij politike duke i sulmuar qeveritë e mëparshme të Kosovës për koncesionet e tepërta ndaj Beogradit, themelimin e një asociacioni komunal, pa ndonjë gjë të rëndësishme në këmbim që do të duhej ta bëjë Serbia?

A do të jetë Vuçiq, i cili gjithashtu e ka kaluar jetën e tij politike duke e shitur një version të butë të nacionalizmit më të madh serb të Slobodan Millosheviqit njeriu që “e dorëzoi” Kosovën? Shanset nuk janë të mëdha.

Të dy udhëheqësit ka të ngjarë të fshihen pas votuesve të tyre dhe gjykatave të vendeve të tyre, duke i fërkuar duart drejt BE-së dhe duke thënë me keqardhje se nuk mund të bëjnë asgjë. Priten taktika vonuese nga të gjitha anët.

Asnjë nga këto nuk është diçka befasuese. Samiti do të ketë sukses vetëm kur të dyja palët kërkojnë progres në mënyrë dëshpëruese, sikurse në bisedimet e ndryshme ndërmjet SHBA-Bashkimi Sovjetik për çarmatimin bërthamor, ose kur njëra nga të dyja palët kërkon dëshpërimisht për të dalë nga situata në të cilën ndodhet. Ky nuk është rasti për Vuçiqin apo Kurtin.

Takimi historik Evian i vitit 1962, i cili i dha fund luftës franko-algjeriane, përfundoi me një progres të arritur, sepse Franca ishte rraskapitur nga lufta në koloninë e saj të atëhershme. Udhëheqësi i saj, de Gaulle, donte të largohej. Rezultati nuk ishte një kompromis i vërtetë; Franca e pranoi pavarësinë e Algjerisë.

Marrëveshja anglo-irlandeze që ishte shkatërruese për kryengritjen republikane irlandeze në Irlandën e Veriut përfundoi gjithashtu sepse njëra palë, Mbretëria e Bashkuar, bëri lëshime të mëdha në formën e dhënies së Republikës së Irlandës një fjalë formale në udhëheqjen e punëve të Irlandës së Veriut. Njëra nga palët u ul në tavolinë e gatshme për të lëvizur nga pozicioni i saj.

Në të dyja rastet, qeveritë gjithashtu lëvizën nga pozicionet e tyre sepse opinioni publik në vendet respektive ishte i ndarë dhe mbështetja për vazhdimin e një linje të vazhdueshme e të ashpër ishte zbehur tashmë.

Vuçiq dhe Kurti nuk janë në atë pozicion. Kundërshtimi i ashpër ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës është ai ngjitësi që e mban të bashkuar nacionalizmin serb.

Pa të, Vuçiq përballet me perspektivën për të përfunduar si ish-mjeshtri i tij politik, Millosheviq, baza politike e të cilit u shpërbë pasi Serbia i tërhoqi forcat e saj nga Kosova pas intervenimit ushtarak të NATO-s.

Përpjekja e Millosheviqit për ta sprapsur këtë disfatë duke pretenduar se e kishte shpëtuar Serbinë nga okupimi i NATO-s nuk pati ndonjë efekt mbi nacionalistët serbë, me kishën e fuqishme – apo me liberalët e ndryshëm që vetëm atëherë panë shansin e tyre për ta themeluar një aleancë strategjike me nacionalistët dhe për ta rrëzuar atë nga pushteti.

Vuçiq nuk i referohet shumë Millosheviqit këto ditë, por e krahason veten me Nikola Pashiqin, kryeministrin serb që e mbikëqyri zgjerimin e Serbisë në një shtet të fuqishëm jugosllav të dominuar nga serbët pas Luftës së Parë Botërore. Dhe Pashiqi nuk ishte një njeri që ishte i specializuar për të bërë koncesione ndaj shqiptarëve, kroatëve, apo kujtdo tjetër jashtë fisit të tij.

Kurti gjithashtu do të heqë dorë nga “imazhi i brendit” së tij si njeriu që mbajti një qëndrim të ashpër me serbët nëse i lëshon rrugë Beogradit pa njohjen e Serbisë, pa një ulëse në OKB, apo pa ndonjë gjë tjetër të prekshme.

Partia e tij ‘Vetëvendosje’ ka dhënë pak në rrugën e reformës ekonomike apo politike. Karta nacionaliste ka mbetur opsioni i vetëm.

Ndoshta, të dy burrat besojnë se të paktën i kanë zbutur votuesit e tyre ndaj mundësisë së kompromisit në një datë të mëvonshme – nëse jo shumë shpejt. Kjo mund të jetë më e mira për të cilën mund të shpresojmë.

Mendimet e shprehura janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.

Ky shkrim fillimisht është publikuar në Balkan Insight