Selmanaj: Mini-Shëngeni ishte kërkesë e Trump, andaj edhe e pranuam

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se mini-Shëngeni ka qenë kërkesë e Presidentit të SHBA-ve Donald Trump, ani pse pala kosovare ka pasur hezitime për këtë pikë.

Ka qenë vet kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i cili në kohën kur ishte prezantuar ky projekt nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi rama, e kishte quajtur atë si “mini-Shëngen i mini-jugosllavëve”.

Sipas tij, LDK-ja ka pasur qëndrim të qartë kundër këtij projekti.

“Në fakt kanë qenë dy çështje të cilat delegacioni i Kosovës ka pasur pak rezervë, ka qenë zona mini-Shëngen për shkak të qëndrimit të kahershëm të LDK-së kundër këtij projekti”, ka thënë Selmanaj në TV Klan.

“Kemi pasur rezervat tona. Kur ne kemi shprehur rezervat tona kemi thënë është e papranueshme të bëhemi pjesë e një projekti sepse rruga jonë është e qartë, është Bashkimi Europian”, shtoi ai.

”Na është thënë decidivisht që çështja e Mini-Schengenit është kërkesë e Presidentit Trump. Ju lutem që këta ta pranoni, dhe këtë e pranuam kështu”, ka theksuar ai.

Selmanaj ka thënë se përpos hezitimeve për mini-Shëngen, pala kosovare ka pasur hezitime edhe për pezullimin për një vit të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

“Pika e dytë ka qenë rezerva që a duhet Kosova të ketë moratorium për mos anëtarësim në organizma ndërkombëtarë. Kemi vlerësuar që më shumë i bëjmë dëm shtetit të Kosovës nëse aplikojmë dhe nuk pranohemi sesa mund të vendosim një moratorium”, ka theksuar ai.

Pjesëmarrja në Mini-Shengenin Ballkanik është një nga pikat e marrëveshjes së nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë të premten.

Mini-Shëngeni, makro-befasia që sprapsi liderët e Kosovës në Uashington