Mini-Shëngeni, makro-befasia që sprapsi liderët e Kosovës në Uashington

Në takimet e Uashingtonit prezent ishin të gjithë ata zyrtarë shtetëror që para disa muajve kishin kundërshtuar me ‘forcën e argumentit’ idenë e një zone Mini-Shëngen për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Mirëpo, në këto takime, të gjithë ata heshtën kur panë që pika 5 e marrëveshjes e propozuar nga negociatori, në këtë rast ShBA-të kërkonte nga Kosova dhe Serbia që të bëhen pjesë të “Zonës së Mini-Shëngenit”.

Për palën serbe kjo pikë nuk paraqiste ndonjë problem, pasi që qëndrimi zyrtar i saj ka qenë pro krijimit të kësaj zone.

Mirëpo, për palën kosovare, ideja e një Mini-Shëngeni ishte refuzuar kategorikisht nga pothuajse të gjithë përfaqësuesit politik.

Të gjithë ata që ishin pjesë e delegacionit kosovar dhe partitë e tyre e kishin kundërshtuar që nga fillimi idenë e krijimit të një zone Mini-Shëngen.

Personi që hodhi firmën në këtë marrëveshje që do ta fus Kosovën, bashkë me Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut në një zonë të lirë për ekonominë dhe lëvizjen e qytetarëve, Avdullah Hoti e kishte kundërshtuar këtë ide duke argumentuar me 6 pika se pse kjo është e dëmshme.

Në atë kohë, Hoti kishte qenë pjesë e opozitës dhe jo në pushtet. Në nëntor të 2019 kur kishte shkruar për Mini-Shëngenin, Hoti ishte në rrugë e sipër për të ardhur në Qeveri bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje.

Hoti thoshte se Mini-Shëngeni do t`ia pamundësonte Kosovës çfarëdo kontrolli. Në atë kohë Hoti deklaronte se zona Mini-Shëngen do t’i shkoj për shtati vetëm Serbisë për shkak të forcës ekonomike që ka.

Madje ai kishte bërë ndërlidhje edhe me fuqinë që mund ta merrte Rusia në Kosovë dhe në Ballkan.

Ramush Haradinaj që ishte kryeministër në kohën kur ideja e zonës së Mini-Shëngenit filloi të diskutohej me të madhe, poashtu kishte qenë kundër.

Ai në atë kohë deklaronte se zona e Mini-Shëngenit do ta bënte Serbinë lider të të gjithë Ballkanit dhe kryeqytet të kësaj zone.

Poashtu, Haradinaj në atë kohë e lidhte idenë e Zonës Mini-Shëngen me heqjen e tarifës prej 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

“Hetohet që krejt kjo bëhet në njëfarë mënyre me na e heq taksën, është një byepas për me e heq taksën”, kishte deklaruar Haradinaj në dhjetor të vitit të kaluar.

Më i ashpër ndaj kësaj ideje kishte qenë Isa Mustafa. Ai idenë e krijimit të kësaj zone e kishte pa si tentim për “Krijimin e Jugosllavisë së re”.

“Politikat e Mini-shengenit i largojnë vendet e Ballkanit Perëndimor nga rruga e integrimeve evropiane dhe i qon në strofullën euroaziatike të dominuar nga Rusia. Në shikim të parë duken projekte atraktive, por në esencë qojnë në një Jugosllavi të re”, kishte shkruar Isa Mustafa në nëntor të vitit të kaluar.

Presidenti Hashim Thaçi sot thirri konferencë për media për të lavdëruar marrëveshjen dhe falënderuar administratën e presidentit amerikan, Donald Trump për angazhimin e dhënë në arritjen e marrëveshjes së 4 shtatorit.

Mirëpo, Presidenti Thaçi në të kaluarën refuzonte pjesëmarrjen në takimet rajonale ku Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut mblidheshin për të diskutuar krijimin e zonës së Mini-Shëngenit.

Thaçi deklaronte se Kosova në asnjë rrethanë nuk do të bëhet pjesë e iniciativave të tilla rajonale.

“Vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO. Prandaj, ne nuk duam që në asnjë rrethanë ta zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale”, kishte shkruar Thaçi kur kishte njoftuar se nuk do të jetë pjesë e Samitit të Ohrit.

Krijimi i zonës së Mini-Shëngenit mes Kosovës, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut nënkupton se këto shtete do të lëvizin lirshëm dhe pa pengesa nga njëra në tjetrën.

Kjo do të thotë se si njerëzit ashtu edhe mallrat do të lëvizin nga njëri në tjetrin shtet pa pasur procedura kufitare e doganore.

Argumentet e atyre që vazhdojnë të jenë kundër idesë së Mini-Shëngenit në Kosovë thonë se Kosova do të përdoret si tranzit nga këto shtete për lëvizjen e mallrave dhe kjo do të ndikonte direkt në ekonominë e vendit.

Vet Vuçiq, pas arritjes së marrëveshjes, në një konferencë për media në Uashington tha se Serbia ka fituar me marrëveshjen për Mini-Shëngen.

“Tani nuk mund të ketë befasi si vendosja e tarifës 100 dhe Serbia nuk do të ketë mundësi të humb 500 milionë euro”, ishte shprehur Vuçiq.

“Ju e dini qëndrimin që kemi pasur si parti politike dhe me gjerë. Ne besojmë që destinacioni përfundimtar është integrimi në BE. Na është kërkuar drejtë nga presidenti Trump që të bëhemi pjesë e kësaj iniciative regjionale për të krijuar një Zonë-Shëngen dhe këtë e kemi pranuar”, ishte shprehur Hoti në ditën e marrëveshjes.

Kishte qenë një deklaratë e ish ministrit të Integrimit Evropian të Qeverisë Kurti, Blerim Reka që kishte nxitur reagime të shumta në opinion, madje ai ishte ftuar edhe në interpelancë.

Reka në emisionin Jeta në Kosovë kishte deklaruar se për një ulëse në OKB, Kosova mund t’i ofronte qasje Serbisë në korridorin që i jep dalje në detin Adriatik.

“Ne mund t’ia japim korridorin transit Serbisë, për dalje në detin Adriatik përmes Kosovës, përmes autostradës së Kosovës, në Durrës dhe më duket që është kompromis ‘fer’ për Serbinë. Por nuk mund tani të tregtojmë ulësen në OKB për pjesë të territorit të Kosovës, që është tepër shumë ,por nuk është as pak, nëse japim qasje”, kishte deklaruar Reka.

Kjo deklaratë e tij ishte komentuar gjatë nga partitë politike në Kosovë por edhe analistë, duke thënë se ‘Kjo është dëshira shekullore e Serbisë”.

Marrëveshje e Uashingtonit që nuk i solli Kosovës ulëse në OKB, përmes pikës për krijimin e zonës së Mini-Shëngenit ia mundëson Serbisë pikërisht korridorin për dalje në detin Adriatik.

Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama që ka qenë njëri nga mbrojtësit më të mëdhenj të idesë së Mini-Shëngenti Ballkanik kishte “bërë presion” të vazhdueshëm të pala kosovare për të pranuar hyrjen në këtë zonë.

Pas marrëveshjes së Uashingtonit, Edi Rama kishte falënderuar kryeministrin Avdullah Hoti për pranimin e marrëveshjes që mundëson krijimin e zonës së Mini-Shëngenit mes Kosovës, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Mali i Zi bashkë me Kosovën kishin qenë kundërshtar të kësaj ideje, ndërsa tash shteti fqinj i Malit të Zi ka mbetur i vetëm në refuzimin për të hyrë në këtë katërshe të Mini-Shëngenit.