Ilustrim

Sekuestrohen thika, shkop metalik, jelekë multifunksional, bllokues valësh e drogë, arrestohen tre persona

Deri sa dyshohej se tre persona kishin sulmuar me sende të forta një person, të njëjtit kishin tentuar sipas policisë edhe që të pengonin zbardhjen e rastit.

Tre persona janë arrestuar në një operacion të Policisë së Shtetit ndërsa dy nga ta janë edhe të dënuar më parë.

Pas arrestimit të njëjtëve u janë bastisur edhe shtëpitë dhe vendet e banueshme ku janë gjetur një përforcues grushti, një shkop metalik, një jelek muntifuksional, tre palë doreza, dy maska, tri palë targa automjeti dhe një targë motori, dy thika, një aparat për bllokim valësh, shtatë aparate celulare, dhjetë karta SIM shqiptare dhe greke, një peshore elektronike, 210 gram lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, 9 fishekë dhe një shumë parash në euro dhe lekë.

Policia në Sarandë kishte nisur hetimet për zbardhjen e rastit që kishte ndodhur në njërën nga lagjet e këtij qyteti, ku një 42 vjecar me inicialet E.K., ishte sulmuar dhe goditur me gjësende të forta nga tre të dyshuarit S.P., 57 vjeç, A. H., 40 vjeç dhe E. P., 29 vjeç.

S.P., ka qenë i dënuar më parë për vrasje ndërsa E.P për vjedhje me armë.

Sipas policisë të dyshuarit, për motive të dobëta, në një lagje në Sarandë, kanë goditur me sende të forta shtetasin E. K., i cili pas marrjes së ndihmës mjekësore, është liruar.

Këta shtetas gjithashtu kanë kryer veprime për të penguar zbardhjen e ngjarjes, duke fshehur automjetin e përdorur në këtë ngjarje, i cili është gjetur dhe sekuestruar nga Policia, së bashku me një automjet tjetër.

Policia ka njoftuar se materialet e konfiskuara dhe të dhënat I janë bartur Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë. Të arrestuarit sipas policisë po dyshohen për veprat penale “Plagosja e rendë me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vertetës”, “Kanosja”, “Mbajta pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.