Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Seanca për masën e sigurisë ndaj Mentor Maqanit do të mbahet në QKUK

I shumëkërkuari nga Policia e Prokuroria, Mentor Maqani, nën dyshimin se ka kryer veprat penale organizim i lojërave të fatit dhe kontrabande në rastin e Karaçevës, gjendet i shtrirë në spital.

KALLXO.com mëson se i njëjti ka qenë në spital kur është njoftuar Policia për prezencën e tij dhe në ato momente i njëjti është dorëzuar duke mos bërë rezistencë ani pse ishte në kërkim.

Maqani ishte shtrirë në spital gjatë mëngjesit të sotëm nën arsyetimin se do të ketë një nderhyrje kirurgjike.

Burime të KALLXO.com kanë treguar se Maqani do të qendrojë në spital për shkak të gjendjes shëndetësore. Madje burimet shtojnë se edhe seanca për masën e sigurisë do të mbahet në ambientet e QKUK-së.

Vitin e kaluar KALLXO.com kishte raportuar për problemet shëndetësore të Maqanit. Kjo pasi që ai një kohë të gjatë kishte qëndruar në QKUK gjatë kohës sa do duhej të ishte në paraburgim për rastin e grupit “Curri” ku ishte i përfshirë edhe Maqani.