Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sallahu thotë se KQZ e shkeli ligjin me ndarjen e numrit për Listën Serbe

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka reaguar pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka hedhur shortin për renditjen e partive politike në fletëvotime për Zgjedhjet e datës 09.02.2024 – duke e përfshirë edhe Listën Serbe.

Lëvizja Vetëvendosje ka paraqitur Ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), më 02.01.2025, kundër Vendimit të KQZ-së për certifikimin e Listës Serbe.

Sallahu ka thënë se me tërheqjen e shortit për Listën Serbe KQZ-ja e ka shkelur Ligjin – duke mos e pritur Vendimin përfundimtar të PZAP-së.

“KQZ shkel sërish Ligjin! Lëvizja VETËVENDOSJE! ka bërë Ankesë në PZAP kundër Vendimit të KQZ-së lidhur me certifikimin e Listës Serbe. Në bazë të Nenit 130 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, akti administrativ pezullohet përderisa të vendoset Ankesa në organin më lart, në rastin konkret, në PZAP. KQZ ka shkelur Ligjin me rastin e ndarjes së numrit për subjektin politik Lista Serbe – duke mos pritur Vendimin përfundimtar të PZAP-së.” – ka shkruar Sallahu në Facebook.

Më 06.01.2024 janë përcaktuar numrat e partive politike që do të jenë pjesë e garës për Zgjedhjet e rregullta parlamentare, më 09.02.2025.

Përmes shortit në Zgjedhjet e 9 shkurtit Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të ketë numrin 118, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 124, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 131, Koalicioni AAK-NISMA-Lista Konservatore 137 dhe Koalicioni për Familjen 129.

Përfaqësuesit e Listës Serbe dhe Srbska Demokratka nuk morën pjesë në tërheqjen e shortit për Zgjedhjet e 9 shkurtit. Në mungesë të përfaqësuesve të tyre shorti u tërhoq nga Sekretariati i KQZ-së.

Lista Serbe qëlloi e treta, por në mungesë të përfaqësueve të saj, numri u tërhoq nga anëtarët e KQZ-së. Numri i kësaj partie doli të jetë 112.

Lëvizja Vetëvendosje, më 02.01.2025, ka dorëzuar Ankesë në PZAP kundër Vendimit të KQZ-së për certifikimin e Listës Serbe për Zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt në Kosovë.

Kjo parti pretendon se “nxjerrja e Vendimit në emër të KQZ-së, por pa miratim të KQZ-së” është sulmi i radhës ndaj rendit tonë ligjor për shkak të Listës Serbe.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në ditën e fundit të vitit 2024, ka certifikuar Listën Serbe për Zgjedhjet 2025.

Ky Vendim është marrë pasi Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur poshtë si të palejuar Ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), kundër Vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), që e “urdhëronte” KQZ-në për ta certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në Zgjedhje.

LVV ankohet në PZAP, kërkon anulimin e vendimit të KQZ-së për certifikimin e Listës Serbe