Rritet numri i viktimave pas tërmetit në Turqi

Një tërmet 7 ballësh goditi sot Turqinë ndërsa të dhënat e fundit sipas CNN janë se 12 persona kanë vdekur e 419 të tjerë janë lënduar dhe kanë pranuar tretman mjekësor.

Këto të dhëna u bënë të ditura nga ana e Departamentit për Menaxhimin e Emergjencave në Turqi, ndërsa tutje thuhet edhe se në 17 ndërtesa po vazhdon kërkim- shpëtimi i personave të cilët dyshohet se janë nën rrënoja.

Në anën tjetër tërmeti preku edhe Greqinë ku janë raportuar edhe persona të vdekur.

CNN ka raportuar se në Greqi më saktësisht në ishullin Samos, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, kanë vdekur si pasojë e tërmetit edhe dy të rinj. Trupat e të rinjve janë tërhequr nga rrënojat.

Gjatë ditës së sotme një tërmet me shkallë 7 të ritaherit ka goditur Turqinë ndërsa vendi më i prekur ishte qyteti i Izmirit me një popullsi prej 4.5 milion banorësh.

Pamjet të cilat janë raportuar gjatë ditës së sotme kanë treguar gjendjen e cila është krijuar në Turqi e Greqi pas tërmetit. Viktima, të lënduar të shumtë por edhe dëme të mëdha materiale janë shënuar deri tani që nga koha kur ndodhi tërmeti.