Rritet çmimi i faturave të energjisë elektrike në Britani të Madhe

Kostoja e energjisë për konsumatorët britanikë do të rritet me 80% nga muaji tetor, ka thënë të premten rregullatori i Mbretërisë së Bashkuar.

Vendimi i kompanisë Ofgem do të bëjë që faturat mesatare vjetore të familjeve në Britani të madhe të rriten për 4,204 euro, shkruan sot Euronews.

Ky vendim duket se do ta nxisë më tej inflacionin mes një krize të kostos së jetesës dhe do të ushtrojë presion ndaj qeverisë për të ndërmarrë ndonjë veprim lidhur me këtë rritje të madhe.

Shefi Ekzekutiv i Ofgem, Jonathan Brearley ka deklaruar se rritja do të kishte një “ndikim masiv” në familjet në të gjithë Britaninë dhe një rritje tjetër ka të ngjarë të vijë prapë në muajin janar, duke reflektuar presionin e rëndësishëm të çmimeve në tregjet e energjisë.

Sipas tij, qeveria duhet t’i ndihmojë edhe më tej familjet në Britani.

“Paketa e mbështetjes së qeverisë po ofron ndihmë tani, por është e qartë se kryeministri i ri do të duhet të veprojë më tej për ta trajtuar ndikimin e rritjes së çmimeve që do të vijnë në tetor dhe vitin e ardhshëm”- tha ai.

“Përgjigja do të duhet të përputhet me shkallën e krizës që kemi përpara.”

Ministri i Financave, Nadhim Zahawi tha se është duke punuar në një plan për të qenë gati për qeverinë e ardhshme, e cila do të emërohet kur Liz Truss ose Rishi Sunak të bëhet kryeministër më 5 shtator.

Lëvizja e rregullatorit vjen mes rritjes së çmimeve globale të gazit, të përkeqësuara që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, me sanksionet të ashpra  perëndimore të vendosura ndaj Moskës zyrtare./Euronews