Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rrëfimi se si kishte rënë në mina vetura e Ambasadës kanadeze në afërsi të Likovcit

Në një intervistë ekskluzive, Nora Visoka Weller në emisionin “Kallxo Përnime”, ka rrëfyer për ngjarjen kur ajo bashkë me diplomatë kanadezë, kishin rënë në mina në afërsi të fshatit Likovc, në shtator të vitit 1998.

Visoka Weller, që në luftën e Kosovës kishte përkthyer për misionet diplomatike, ka treguar se bashkë me kanadezët ishin nisur për në Likovc, pasi kishin marrë informacion se atje kishte pasur luftime.

“U afruam shumë afër Likovcit dhe aty pamë ish bazën e UÇK-së që ishte e demoluar dhe aty kishte shumë paramilitarë të droguar. Diçka të tillë nuk kishim parë asnjëherë dhe e vërejtëm se gjithçka ishte jashtë kontrollit. Na ndaluan aty në mes tyre dhe mbetëm të rrethuar nga paramilitarët. Dhe në fund na lanë që të vazhdojmë tutje”, ka thënë ajo.

Tutje, Visoka Weller ka rrëfyer se duke ecur me makinë kanë rënë në mina, me ç’rast makina ishte hedhur në ajër.

“Pas shpërthimit, kemi dalë disi nga makina dhe pasi kemi filluar me lëvizë, në drejtim tonin kanë filluar të shkrepen plumba prej ushtrisë që ishin prapa neve. Aty e kuptuam që po dojnë me na vra”, tregoi ajo.

Ajo ka thënë se në anën tjetër ishin ushtarët e UÇK-së dhe në atë moment e kanë kuptuar se gjendeshin në mes të një fronti të luftës.

“Por më pas e kuptuam që para neve ishte UÇK-ja dhe ishim në mes të një fronti të luftës. Kemi qendru aty rreth 6 orë, derisa na prej aty na kanë nxjerrë pas shumë negociatave. Ndihma na erdhi pastaj, sepse e gjetëm telefonin satelitor që ishte në makinë”, ka thënë ajo.

Nora Visoka Weller është avokate në Universitetin e Cambridge. Aty e ka përfunduar Juridikun dhe Arkeologjinë, ku ka specializuar në Mbrojtjen e Trashegimisë Kulturore dhe të Luftës.

Në moshën 18-vjeçare, Nora fillon punën si përkthyese me gazetarë të huaj, në pothuajse të gjitha zonat e luftës dhe përfundon duke punuar në misionin diplomatik të Ambasadës amerikane.

Ndërkohë, ajo do të trajnohej në teknika të ndryshme të mbrojtjes dhe të sigurisë, mbikëqyrjes, si të vozistë vetura 6 tonë të rënda në zona të luftës.

Puna e saj gjatë luftës ndërpritet në shtatorin e vitit 1998, kur makina e blinduar e Ambasadës bie në një minë kundër-tank.

Nora lëndohet rëndë dhe shërimi i saj zgjat disa muaj.

Fati deshi që automjeti ishte i blinduar dhe Nora shpëton. Ajo rikuperohet dhe 22 vite pas vjen këtu për të na treguar historinë e një prej disa të rinjve nga Prishtina, që punuan në misione të huaja.