Rrëfimi i gazetarëve: Si e mposhti Kosova sëmundjen vdekjeprurëse më 1972?

Kosova po përballet me pandeminë e coronavirusit, sëmundje që në gjithë botën deri më tani ka shkaktuar mbi 30 mijë të vdekur e numri i të infektuarve po i afrohet me hapa të shpejtë njëmilionëshit.

Në Kosovë, deri më sot është konfirmuar infektimi me COVID-19 i 94 qytetarëve. Një ka vdekur, ndërsa një është shëruar.

Me një situatë të ngjashme, ndonëse me përmasa më vogla në aspektin gjeografik por me më shumë të vdekur, Kosova ishte përballur edhe para afro 5 dekadave.

Në vitin 1972, në Gjakovë kishte shpërthyer Variola Vera, apo si njihej te popullata lija apo lija e zezë.

26 qytetarë të Gjakovës dhe rrethinës kishin vdekur nga lija.

Mirëpo, për dallim nga coronavirusi me të cilin po përballet sot Kosova dhe bota, për Variola Veran ekzistonte vaksinë.

Raportimet e para për shfaqjen e sëmundjes u dhanë nga mediat e asaj kohe në Kosovë, gazeta “Rilindja” dhe Radio Prishtina.

Lajmi  kishte krijuar panik dhe frikë te qytetarët.

Sikurse edhe në rastin e pandemisë së coronavirusit, edhe në kohën e lijës së zezë, përveç punonjësve shëndetësorë, në vijën e parë të frontit ishin edhe gazetarët.

Gazetarë të asaj periudhe kanë rrëfyer për KALLXO.com për gjendjen që u krijua pas shfaqjes së sëmundjes dhe masave të marra për të përballuar situatën.

Jusuf Meqa, ish- gazetar i “Rilindjes”, tregon për KALLXO.com se raportimi nga Gjakova i korrespodentit të gazetës për shfaqjen e sëmundjes Variola Vera u prit me befasi dhe kishte shqetësime për mundësinë e përhapjes së saj.

“Ka qenë një befasi për atë kohë. Lajmet e para tregojnë që Variola Vera, një virus i rrallë ishte bartur nëpërmjet një personi nga një fshat i Rahovecit në Spitalin Rajonal të Gjakovës. Në Prishtinë u prit më shqetësim shfaqja e virusit sepse rreziku i bartjes ishte i madh. Por edhe reagimi ishte bukur i shpejt. Nisi vaksinimi që ishte e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur nga Variola”, ka thënë gazetari.

Sipas tij, sikurse sot, edhe në mars të vitit 1972, raportet e gazetarëve priteshin më interes.

“Gjakova u vu në karantinë dhe njerëzit mund të lëviznin vetëm me leje speciale. Pat raportime për gjendjen, por nuk kishte panik sikurse sot, për faktin se kishte vaksinë kundër sëmundjes. Të infektuarit ishin shtrirë kryesisht në Spitalin Rajonal të Gjakovës, pasi epiqendra e shpërthimit të sëmundjes ishte ky rajon. Me sa më kujtohet raportimet tregonin për 26 të vdekur, kryesisht nga rajoni i Rahovecit dhe Gjakovës”, ka thënë Meqa.

Edhe Zenun Çelaj tregon se shpërthimi i sëmundjes  krijoi mjaft panik, se njerëzit ishin të shqetësuar, rrinin në shtëpi dhe nuk lëviznin.

“Të infektuarit u vendosën në Gjakovë. Sipas pamjeve-fotografive nga të infektuarit gjendja ishte e tmerrshme. Njerëzve u binte mishi copë- copë. Por edhe kjo ngjarje ka pasur heronjtë e vet, të cilët janë ballafaquar me sëmundjen dhe disa infermierë dhe mjekë kanë pësuar  nga sëmundja”, ka thënë Çelaj për KALLXO.com.

Sipas tij, kishte edhe dyshime se mos në infektimin dhe përhapjen e sëmundjes kishte gisht Serbia.

“Ngjarja përcillej. Kishte edhe dyshime se mos kishte dorë Serbia në këtë sëmundje, pasi gjithmonë kishte raporte dyshuese, jo pa arsye”, ka potencuar Çelaj, atëherë gazetar i “Rilindjes”.

Ndërsa, Mustafë Halili, gazetar, kujton se në mes të marsit të vitit 1972 sëmundja arriti kulmin dhe qytetarët vaksinoheshin aty ku ishin.

“Ndodhte që njerëzit të vaksinoheshin edhe në rrugë, stacion treni, punë apo aty ku të ndodheshin nga ekipet mjekësore”, ka thënë Halili.

Mustafë Halili ka thënë se për të mundur sëmundjen u angazhuan edhe mjekë nga jashtë vendit.

Sipas gazetarëve, në mars të vitit 1972 në Spitalin e Gjakovës u shtrua një pacient nga një fshat i Rahovecit, i prekur nga virusi i Variola Vera. Sëmundja u përhap shpejt, sidomos në Rahovec dhe Gjakovë.  Sëmundja mori jetën e 26 qytetarëve.

Dyshohej se epidemia erdhi nga një qytetar i komunës së Rahovecit, i cili kishte qenë për haxhillëk.

Supozohet se me virusin e Variola Veras së pari ishte infektuar Ibrahim Hoti nga komuna Rahovecit, pas një qëndrimi në Mekë dhe vendet e shenjta islame. Zyrtarisht në fillim të majit 1972 autoritetet e asaj kohe konfirmuan se sëmundja Variola Vera ishte vënë nën kontroll dhe ishte larguar rreziku nga infektimi.