Jorn Rohde - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Rohde: Nuk duam një 'Republikë serbe' në tokën e Kosovës

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se Gjermania i gëzohet rezultateve pozitive të dialogut në takimin e Brukselit, ku palët deklaruan se pranojnë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Në një intervistë për Radio Kosovën, ambasadori gjerman ka thënë se propozimi i planit gjermano-francez për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi nuk parashikon asnjë “Republikë serbe” në tokën e Kosovës.

“Tani unë nuk dua të deklarohem për gjëra hipotetike, por mund të them një gjë: ka një obligim që është marrë përsipër më herët për Asociacionin. Mirëpo, ne e kemi thënë hapur dhe në mënyrë krejt të qartë si partnerë dhe miq të ngushtë të Kosovës, pra ne pesë vendet e Kuintit, e kemi bërë të qartë atë çfarë nuk duam dhe çfarë nuk mund të ndodhë, e kjo është një “Republikë serbe” në tokën e Kosovës. Kjo pra, është diçka që as mund të merret me mend dhe larg çdo parashikimi” – ka thënë ai.

Rohde ka theksuar se Gjermania i gëzohet rezultateve pozitive të dialogut në takimin e Brukselit ku palët deklaruan se pranojnë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Ai theksoi se në dhjetë ditët e ardhshme, Kosova dhe Serbia pritet bëjnë përparim vendimtar, në mënyrë që të sqarohet mekanizimi i implementimit të marrëveshjes.

“Gëzohemi shumë për rezultatet pozitive të dialogut në takimin e nivelit të lartë, që u mbajt të hënën në Bruksel. Të dyja palët janë deklaruar se pranojnë propozimin e Bashkimit Evropian, i cili është përpiluar me iniciativën gjermano-franceze. Siç e dimë, tashmë edhe Qeveria gjermane e mbështet shprehimisht dialogun, që po udhëhiqet nga BE-ja dhe përpjekjet e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak”- ka thënë ai.