Pamje nga fillimi i takimit trepalësh në Ohër

Rifillon takimi Kurti- Vuçiq në Ohër

Në Ohër ka filluar përsëri edhe një takim trepalësh mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Palët paraprakisht ishin takuar edhe në një takim trepalësh rreth orës 15:30, takim ky i cili kishte zgjatur rreth 1 orë e 10 minuta.

Ekipi i KALLXO.com që po qëndron në Ohër, ku edhe po mbahet takimi raportoi se nga Qeveria e Kosovës e kanë konfirmuar  se palët kanë përfunduar pjesën e parë ta takimit rreth orës 17:00 dhe pritej të rikthehen përsëri në tavolinë të dialogut.

Pas takimit trilateral është paralajmëruar konferencë nga shefi i BE-së për Politikë të Jashtme Josep Borrell.

Në këtë takim, sipas njoftimit zyrtar të BE-së në këtë takim është duke u diskutuar udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes së dakorduar tashmë më 27 shkurt në Bruksel.

Para se të fillojë takimi, shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i BE-së, Josep Borrell, ka takuar veç e veç liderët e të dyja vendeve.

Para takimeve, Borell tha se sytë e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor sot janë kthyer kah Ohri.

“Sytë e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor sot janë të kthyer kah Ohri. Pas një rrugëtimi diplomatik midis Beogradit dhe Prishtinës, do të diskutojmë me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti Aneksin e Zbatimit – një pjesë integrale e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”- ka shkruar Borrell.

Takimi i Ohrit ishte paralajmëruar më datën 27 shkurt, ku u zhvillua një takim me dakordim për planin franko-gjerman, mirëpo pa marrëveshje të nënshkruar.

Bashkimi Evropian dhe SHBA-të vazhdimisht kanë kërkuar nga palët ta pranojnë planin franko-gjerman, pasi që sipas tyre kjo është një marrëveshje e mirë për të ardhmen e të dyja vendeve.