Rezultatet nga 297 mostrat e testuara, numri i të infektuarve arrin në 763

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se nga 297 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore 32 persona kanë dalë pozitiv me COVID-19.

Rastet pozitive janë raste kontakti, 23 raste nga komuna e Pejës (sipas vendbanimit: katërmbëdhjetë (14) raste Pejë, pesë (5) raste Nakëll dhe katër (4) raste Bllagajë), katër (4) raste me vendbanim në Runjevë-Kaçanik, dy (2) raste me vendbanim në Strellc i epërm-Deçan dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Hoçë e Qytetit-Prizren, Sallagrazhdë-Suharekë dhe Shtime.

Instituti njofton se është shëruar edhe 1 pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 166 raste.

Sot, nga Klinika Infektive është raportuar 1 rast i vdekjes, një burrë i moshës 44 vjeç me vendbanim në Malishevë-Gjilan dhe i konfirmuar me COVID-19 më 16 prill 2020.

Pacienti është hospitalizuar në Klinikën Infektive më 17 prill 2020 në gjendje shumë të rëndë dhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Nga data 08 shkurt deri më 26 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 6.479 mostra të dyshimta dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 763 raste, ndërsa gjithsej 21 raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 26 prill 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 2.982.565 raste të COVID-19 dhe 206.325 raste të vdekjes.