Foto: Steve Scalise/ X

Republikanët nominojnë Steve Scalise për kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve

Ligjvënësit nga Partia Republikane kanë nominuar Steve Scalise për t’u bërë kryetari i ri i Dhomës së Përfaqësuesve. Por, tani ata duhet të tentojnë të unifikojnë partinë që ai të zgjidhet gjatë votimit në Dhomë, pas shkarkimit të Kevin McCarthyt nga udhëheqja e këtij institucioni.

Në votimin privat të mbajtur në Kongres më 11 tetor, në garë për nominim ishin Jim Jordan dhe Scalise. Ky i fundit fitoi nominimin me një rezultat të ngushtë.

“Ne kemi shumë punë për të bërë”, tha Scalise pas votimit.

Votimi për zgjedhjen e tij mund të mbahet më së afërmi pasditen e së mërkures.

Javën e kaluar, McCarthy u bë udhëheqësi i parë i Dhomës së Përfaqësuesve në historinë amerikane që u shkarkua gjatë një votimi. Ende është e paqartë nëse ligjvënësit republikanë, mbështetës të ish-presidentit Dinald Trump, të cilët votuan për shkarkimin e McCarthyt, do të votojnë për zgjedhjen e Scalise.

Demokratët pritet të kundërshtojnë nominimin e republikanëve.

Që Scalise të zgjidhet në krye të Dhomës së Përfaqësuesve, duhet që për të votojnë shumica e institucionit prej 435 ulësesh.

“Nuk e di se si do të arrijmë 2018 vota”, tha përfaqësuesi republikan në Dhomë, Troy Nehls. “Do të jetë një javë e gjatë”.

Politikanët e linjës së ashpër votuan për largimin e McCarthyt, pasi ai arriti një marrëveshje me demokratët e Senatit për t’i financuar agjencitë qeveritare.

Zgjedhja e kryetarit të ri vjen në një moment të një krize politike në Dhomën e Përfaqësuesve, vetëm dhjetë muaj pasi Republikanët fituan shumicën në këtë institucion.

Që Scalise të bëhet kryetari i ri i Dhomës, atij i duhet të marrë pothuajse të gjitha votat e republikanëve. Zakonisht kërkohen 218 vota, por aktualisht në Dhomë janë dy ulëse të zbrazëta, duke bërë që pragu për t’u zgjedhur kryetari i ri të ulet në 217./ REL