Rashiq: Akuza ndaj Kurtit për sulmin është e pandershme

Nenad Rashiq e ka quajtur të pa ndershme akuzën e kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq se ishin Albin Kurti, Rada Trajkoviq dhe Nenad Rashiq ata që organizuan dhe realizuan sulmin ndaj djalit të tij.

Rashiq nga Partia Demokratike Progresive në konferencën për media pas sulmit ndaj djalit, Nikola Rashiq teksa po dilte nga shkolla në fshatin Lapla Sellë të Graçanicës ka thënë se nuk do komentojë vlerësime të tilla.

“Është një koment i pandershëm. Nuk i komentoj vlerësimet e tilla,” ka thënë Rashiq.

Ai tutje shtoi se nuk e ka dëgjuar Vuçiq të ketë thënë ndonjë gjë, duke shtuar se është e turpshme të mendosh se një prind do organizonte një gjest të tillë.

“Nuk kam dëgjuar që Vuçiq të ketë thënë diçka. Si mund të besosh që një president i Serbisë të thotë se dikush ka organizuar diçka të tillë. Turp që dikush mund të mendoj që është organizuar nga prindi të rrihet djali i tij, t’i thyhen dhëmbët,” ka shtuar tutje Rashiq.

Trajkoviq: Propaganduesit e çmendur të Vuçiqit, do t’i padis