Rama në konferencë të përbashkët me Kurtin, e quan mik

Pas nënshkrimit të marrëveshjeve Kosovë-Shqipëri në mbledhjen e përbashkët në Elbasan, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti po mbajnë konferencë për media.

Rama gjatë fjalës së tij e falënderoi Kurtin, duke e quajtur mik.

“Albin, miku im shumë faleminderit për mundimin për të ardhur deri këtu. Dua të falënderoj të gjithë skuadrën e Kosovës, Albinin personalisht për ritmin e ri që ka marrë ky proces, është takimi shtatë, janë firmosur shumë marrëveshje. E vërteta është që një pjesë e tyre janë zbatuar plotësisht, një pjesë janë në zbatim por është po kaq e vërtetë që problematika e zbritjes nga niveli i lartë politik në nivelin ekzekutiv të administratës, mund të kthehet në një problematikë bllokuese”, tha Rama.

Ai e vlerësoi vendimin që të themelohet Sekretariati për koordinim mes dy qeverive.

“Krijimi sot me vendim të të dy qeverive, i sekretariatit për koordinimin e të dy qeverive në funksion të gjitha marrëveshjeve si mekanizëm i ri, i cili raporton dhe orinetohen nga zyrat e të dy kryeministrave dhe që është në dispozicion të anëtarëve të kabineteve, është një hap ku ne së bashku besojmë fort se do të na sjell përshpejtimin e të gjithë hapoave tjerë”, tha ai.

Pas mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive, Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar 13  marrëveshje.

Dokumentet u nënshkruan nga dy kryeministrat, ai i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama si dhe nga ministrat përkatës të të dyja kabineteve.