Rama-Blinken nënshkruajnë marrëveshjen për teknologjinë 5G

Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nënshkruar një marrëveshje të përbashkët për koordinimin e teknologjisë 5G.

Marrëveshja është firmosur në Bruksel nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Sekretari Blinken e vlerësoi këtë vendimmarrje të Shqipërisë dhe tha se kjo marrëveshje të jetë një mesazh i fortë edhe për shtetet e tjera.

“Mendoj që kemi dhënë një shembull shumë të fortë për të tjerët sot për nevojën për t’u siguruar që kur bëhet fjalë për rrjetet më të ndjeshme të teknologjisë që kemi ne të punojmë me shitës të besuar dhe mendoj që kjo është shumë e rëndësishme dhe një mesazh shumë i fortë për t’i dërguar të tjerëve”, tha Blinken.

Ndërsa, Rama u shpreh se teknologjia 5G duhet të jetë një korridor i sigurt komunikimi dhe nuk duhet të rrezikohet nga palë të treta.

“Për mua dhe për ne në Shqipëri është një moment shumë i rëndësishëm sepse siç besoj ju e dini kemi ndërmarrë këtë nismë nga ana jonë që prej disa vitesh e duke ju kërkuar edhe të tjerëve që të bëhen pjesë dhe të gjithë të bëjmë përpjekje për një korridor të sigurt komunikimi e për ta vënë këtë korridor të shumë shërbimeve kritike në duar të institucioneve shqiptare që të mos lejojmë të kompromentohet nga aktorë të tretë”, tha Rama./tvklan.al